Nëse kjo është lindja e parë, mund të mendoni se fillimi i kontraktimeve tregon fillimin e dhimbjeve të lindjes. Pjesa dërrmuese e nënave të ardhshme, ndiejnë kontraktime pa dhimbje, para se t’ju fillojnë dhimbjet e vërteta të lindjes. Ka raste kur këto kontraktime janë shumë të bezdisshme, shkruan Living
Javët e fundit të shtatzënisë, mund të ndieni spazma në mitër dhe kur të vendosni duart mbi bark, të ndieni mitrën që shtrëngohet dhe çlirohet. Këto lëvizje të lehta, të njohura edhe si kontraktimet Braxton Hicks, quhen dhimbje të rreme të lindjes. Mitra po përgatitet për punën e rëndësishme që e pret.
Teksa i afroheni datës së parashikuar të lindjes, kontraktimet e rreme bëhen më të forta dhe ndonjëherë, mund të ndieni edhe dhimbje. Ato mund të ngatërrohen shumë lehtë me dhimbjet e vërteta të lindjes. Por ndryshimi mes tyre është se gjatë dhimbjeve të vërteta, kontraktimet zgjerojnë qafën e mitrës. Dhimbjet e rreme janë gjithashtu të çrregullta, kurse dhimbjet e vërteta ndjekin një interval të rregullt, duke u forcuar dhe shpeshtuar me kalimin e kohës.
Mënyra më e mirë për të dalluar dhimbjet e vërteta nga ato të rremet, është të matni kohën e kontraktimeve. Matni kohëzgjatjen e çdo kontraktimi dhe intervalin kohor nga fillimi i njërit deri në fillimin e tjetrit.
Gjithsesi, ndodh që edhe pas mbikëqyrjes së gjithë këtyre shenjave, mund të mos e kuptoni ende nëse po shkoni vërtet drejt procesit të lindjes. Ka raste që mënyra e vetme për ta kuptuar, është të shikoni nëse qafa e mitrës është duke u zgjeruar. Mjeku mund ta përcaktojë këtë përmes një kontrolli të legenit. Fillimi i dhimbjeve të lindjes është i ndryshëm për këdo. Disa gra kanë kontraktime të dhimbshme për ditë të tëra, pa pësuar asnjë lloj ndryshimi në qafën e mitrës, ndërsa disa të tjera, mund të ndiejnë vetëm një shtrëngim të vogël dhe dhimbje shpine.