Sot, 108 vite më parë, përfaqësues të Vilajeteve shqiptare shpallën pavarësinë e shtetit shqiptar. Kuvendi i Vlorës u mbajt saktësisht në këtë ditë të vitit 1912, me c’rast u shpall shteti shqiptar i pavarur, duke u shkëputur kështu nga Perandoria Osmane.
Ndonëse një akt i tillë ishte një kurorëzim i përpjekjeve shumëshekullore, Qeveria që e ndërmori këtë nismë ishte jetëshkurtër. Pas një viti në Shqipëri erdhi një Princ i huaj i emëruar nga Fuqitë e Mëdha të kohës.
Akoma më keq shqiptarët e përjetuan Konferencën e Londrës e cila u mbajt një vit pas shpalljes së pavarësisë, ashtu që një pjesë e madhe territoriale e Shqipërisë mbeti jashtë kufijëve.
Gjysma e popullësisë shqiptare mbeti nën sundim të serbëve dhe malazezëve.
Qeveria menjëherë pas pavarësisë filloi t’i jepte shenjat e para të konsolidimit të shtetit, ashtu që gjuhë zyrtare u zgjodh shqipja, filluan reformat për zhvillimin e arsimit, shëndetësisë, administratës, u formua Pleqësia si organ këshillues e mbikqyrës ndaj punës së Qeverisë etj.
Ndonëse me hapa jo shumë të shpejtë, Shqipëria arriti t’u mbijetonte luftërave si shtet i pavarur. Regjimet që erdhën më pas ndryshuan rendin udhëheqës, por konsolidimi po bëhej. /familjajone