Pas koronavirusit, në Kinë është shfaqur një lloj tjetër virusi, i njohur me emrin norovirusi.
Sipas Anadolu Angency, deri më tani janë të prekur 50 fëmijë nga ky virus.
Bazuar në atë që raporton Global Times, virusi në fjalë së fundi goditi fëmijët e një kopshti në qytetin Zingong, në provincën Sichuan, me c’rast fëmijët pësuan të vjella.
Norovirusi është një virus shumë ngjitës që shkakton të vjella dhe diarre. Njerëzit e të gjitha moshave mund të infektohen dhe të sëmuren me norovirus, i cili përhapet lehtë. Ata me sëmundjen e norovirusit mund të hedhin miliarda grimca të virusit, ndërsa vetëm disa grimca të virusit mjaftojnë që të mund t’i infektojnë të tjerët, transmeton Shenja TV.
“Pas hetimeve epidemiologjike dhe testeve të acidit nukleik, Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) konfirmoi se të vjellat ishin shkaktuar nga një infeksion norovirus. Të gjithë fëmijët janë në gjendje të qëndrueshme dhe po marrin trajtim në një spital me simptoma të lehta”, citoi departamentin e shtetit gazeta kineze.
Gjatë muajit të fundit, virusi goditi disa shkolla dhe universitete në provincën verilindore Liaoning dhe në atë veriore Shanxi.
Deri më tani nuk ka asnjë vaksinë të disponueshme për norovirusin në treg.
Sipas mediave kineze, norovirusi infekton 685 milionë njerëz në të gjithë botën çdo vit dhe është shfaqur gjithnjë e më shumë si një çështje e shëndetit publik në Kinë.
Në shkurt të vitit 2019, autoritetet kineze miratuan një provë klinike për vaksinën e parë tetravalente në botë kundër virusit.
Agjencia e lajmeve Xinhua raportoi se vaksina, pas katër vitesh zhvillimi, teorikisht mund të parandalojë 80 deri në 90 për qind të infeksioneve me norovirus. /familjajone