Përvec sferave të tjera që janë ndikuar jo pak nga pandemia, edhe procesi mësimor ka pësuar ndryshim në mbajtjen e tij. Ndryshimi i skenarëve, njëherë online dhe pastaj me prezencë fizike, ka pasur ndikim shumë në mbarëvajtjen e procesit mësimor.
Sipas njohësit të arsimit, Rinor Qehajës, mësimi me prezencë fizike është cunguar shumë, si pasojë e shkurtimit të orëve. Në një intervistë dhënë për portalin Familja jonë, Qehaja evidenton që, para se gjithash, ndërrimi i skenarëve ka ndikuar edhe intensitetin e arritjes së rezultateve të të nxënit.
“Mësimi me prezencë fizike është cunguar jashtëzakonisht shume me shkurtimin e orëve. Neve kemi munguar në cilësi ne kushte normale, e lere më me ore të shkurtuar. Për më shumë, kalimi mes skenarëve, nga mësimi fizik ne online ka dëmtuar përkushtimin dhe intensitetin e arritjes së rezultateve të të nxënit”, u shpreh ai për Famija jonë.
Qehaja ndër të tjera foli edhe për sfidat që kanë shkollat në arritjen e një procesi mësimor efikas.
Më poshtë gjeni intervistën e zhvilluar me të.
- Sa po del të jetë problematike mbajtja e mësimit në nivelin fillor dhe të mesëm në kushte pandemie?
Mësimi në kushte pandemie ka shpërqendruar shumë nga mësimdhënia e mirëfilltë. Nxënësit nga marsi i këtij viti kanë humbur shumë, dhe do të merr kohë që eventualisht e njëjta të kompensohet.
- Cila është forma adekuate e mbajtjes së mësimit në këto kohë, online apo me presence fizike? Pse?
Mësimi me prezencë fizike nuk mund të zëvendësohet asnjëherë nga mësimi online. Aq më shumë kur sistemi ynë arsimor mungon në vetëdijësim, infrastrukturë dhe gjithëpërfshirje.
- Sa janë të gatshme teknikisht shkollat në Kosovë të mbajnë mësim online?
Insitucionet shkollore mungojnë shumë në investime në teknologji, kemi shkolla që kanë llaptopë e projektorë, por zakonisht këto janë të përqendruara në qendër të qyteteve, me shumë shkolla tjera të anashkaluara në tërësi.
- A ka numër të madh të mësuesve që nuk dinë t’i përdorin plaftormat online për mbajtjen e mësimit?
Mësimdhënësit derisa nuk janë të eskpozuar nga teknologjisë si mjet pune, atëherë edhe në vazhdimësi do të kenë probleme ne zotërim të shkathtësive që mundësojnë përfshirje të teknologjisë në mësimdhënie.
- Në bazë të hulumtimeve, a ka ndikuar pandemia në performancën e nxënësve? Nëse po, në cfarë aspekti, pozitiv apo negativ?
Mësimnxënia është ndikuar jashtëzakonisht shumë, kjo edhe mund mos shfaqet në vlerësim te brendshëm, që jo gjithherë është i besueshëm, por do të jetë evidente kurdo në vlerësimet e jashtme, ose nga një bashkëbisedim me prindër dhe mësimdhënës.
- A po del të jetë efektive mbajtja e mësimit me prezencë fizike deri më tash?
Mësimi me prezencë fizike është cunguar jashtëzakonisht shume me shkurtimin e orëve. Neve kemi munguar në cilësi ne kushte normale, e lëre më me orë të shkurtuara. Për më shumë, kalimi mes skenarëve, nga mësimi fizik ne online, ka dëmtuar përkushtimin dhe intensitetin e arritjes së rezultateve të të nxënit.
- C’duhet të bëjnë shkollat për të siguruar proces mësimor efektiv?
Shkollat tashmë kanë dëshmuar përkushtim dhe disiplinë në mbarëvajtje të procesit mësimor në kushte pandemie, është përgjegjësia e institucioneve qendrore që të rishikojnë skenarët me ri përqendrim në sigurim të cilësisë në mësimdhënie.
- Si e shihni kërkesën e SBAShK për pensionim të parakohshëm të mësimdhënësve për shkak të sëmundjeve kronike që kanë?
Kërkesa për pensionin të parakohshëm shkon përtej pandemisë, neve vlerësojmë që profesioni i mësimdhënësit është shumë kërkues dhe konsumues, dhe për të gjithë mësimdhënësit që konsiderojnë që kanë kontribuar mjaftueshëm pensionimi i para kohshem duhet të jetë opsion.