Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka nisur procedura për realizimin e laboratorit dhe hapësirave tjera të nevojshme për shërbimin e frytnimit të asistuar mjekësor.
Në klinikën e cila udhëhiqet nga Dr. Jakup Ismajli, së shpejti mund të kryhet edhe shërbimi për frytnim të asistuar mjekësor ose siç njihet ndryshe IVF, shkruan Gazeta Shneta.
QKUK ka dhënë një kontratë për “Renovimin e Laboratorit të IVF-së me hapësirat përcjellëse në repartin e sterilitetit në Klinikën e Gjinekologjisë”.
Kontrata është e ndarë në dy lote në vlerë mbi gjysmë milioni euro. Me Lot 1 është shpërblyer grupi i operatorëve ekonomik “Termomontimi SHPK” dhe “NTSH Elektromontimi” në vlerë 566 mijë e 248 euro. Ndërkaq Lot 2 i është ndarë kompanisë “Zone Tech” në vlerë mbi 25 mijë euro.
Kjo do të jetë hera e parë që do të kryhet shërbimi i IVF-së në sektorin publik shëndetësor në Kosovë. Deri më tani janë disa klinika private që kryejnë këtë shërbim. Kujtojmë se shumica prej tyre janë përballë me një pezullim të punës 1 vjeçare për shkak të dyshimeve për kryerje të jashtëligjshme të transferit të qelizave.