Me ndërmarrjen e masave të reja kundër COVID-19 u përcaktua edhe forma e mbajtjes së mësimit për arsimin parauniversitar.
Sipas vendimit të Qeverisë, mësimi do të vazhdojë të zhvillohet edhe më tutje në objekte shkollore.
E ky vendim gjeti edhe përkrahjen e SBAShK, të cilët u shprehen të gatshëm të vazhdojnë mësimin në këtë formë.
Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jashari, u shpreh për IndeksOnline se të gjithë mësimdhënësit janë që mësimi të vazhdojë në shkolla.
“Ne jemi që mësimi të zhvillohet në institucionet arsimore. Ne nuk kemi qenë pro mësimit online. Ne po vazhdojmë të funksionojmë sipas këshillave , mësimdhënësit janë që të vazhdohet mësimi nëpër shkolla”, tha Jashari.
Jashari theksoi se, pavarësisht masave të reja të cilat do të mund të paraqesin telashe gjatë procesit, ata deri në momentin e fundit do të insistojnë që mësimi në tërësi të mos kalojë në formë online, por vetëm aty ku ka nevojë dhe ku ka raste me virus.
“Pavarësisht masave të qeverisë që janë goxha ngushtuese, SBASHK-u është i përkushtuar që të japim maksimumin që deri në pikë të fundit ta zhvillojmë mësimin në shkolla. Në anën tjetër mësimdhënësit tashmë kanë marrë përvojë nga viti i kaluar shkollor, dhe do të japin maksimumin që mësimi nëse kalon në atë online, të zhvillohet sa më mirë”, u shpreh ai. /familjajone