Pas një debati virtual që e pati me homologun gjilanas Lutfi Haziri, i pari i kryeqytetit një të tillë e nisi edhe me mitrovicasin Agim Bahtiri, për situatën epidemiologjike.
Pas vizitës së ministrit Armend Zemaj, Mitrovica nga zona e kuqe kaloi në të verdhën dhe kjo s’i pëlqeu Ahmetit i cili duke ironizuar tha se kjo është çështje negociatash, njofton Klan Kosova.
“Mitrovica e Jugut është në zonën e kuqe por pas takimit të kryetarit Bahtiri me Ministrin Zemaj janë dakorduar që edhe këtë javë të mbetet e verdhë sepse sipas Bahtirit “e kemi bind që nuk duhet të jemi në zonën e kuqe”. Dmth çështje negociatash dhe bindjesh! P.S. Urime Mitrovicë”, shkroi pak më parë Ahmeti.
Pa vonuar erdhi edhe përgjigjja e Bahtirit.
“E lus kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, që të merret me punët e komunës së tij, sepse nuk i takon me u merr me komunën e Mitrovicës, pasi që mitrovicasit e kanë kryetarin e tyre që kujdeset për ta. Ai është mirë që të merret me komunën e tij, e cila është ngulfatur nga rastet me të infektuar me COVID-19”.
Bahtiri tha se kryeqyteti në rrethana normale duhet të jetë shembull për menaxhim të punëve komunale, “por si duket kryetari Ahmeti ka tjera prioritete!”.