Oda Ekonomike e Kosovës dhe Shoqata e Gastronomëve kanë kundërshtuar çfarëdolloj mbylljeje të bizneseve, nëse këto të fundit nuk mbështeten financiarisht.
Në një mbledhje të jashtëzakonshme midis gastronomëve, është kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të mos merren vendime të cilat i dëmtojnë bizneset.
Të gjitha bizneset kërkojnë që të përfshihen në Pakon për Rimëkëmbjen Ekonomike, pasi në të kundërt do të jetë shumë e vështirë për ta.
Në një linjë me gastronomët kanë qëndruar edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, dhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Sipas këtij të fundit, duhet të gjendet një mënyrë që bizneset të punojnë normalisht, sepse një mbyllje tjetër do të ishte shumë e dëmshme për ta.