Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Kosovarët po vdesin nëpër spitalet e Turqisë, Ministria e Shëndetësisë s’ia ka idenë

Gjendja e mjekësisë në vendin tonë vazhdon të mbetet mjaft e rëndë duke pasur parasysh numrin e madh të pacientëve që kërkojnë shërim jashtë vendit.

Një numër i madh i tyre kërkojnë vazhdimisht ndihmë financiare për t’i mbuluar shpenzimet  e shërbimeve shëndetësore, derisa në tre muajt e fundit shërim jashtë vendit kanë kërkuar 303 kosovarë.

Shumë prej pacientëve kërkojnë ndihmë shëndetësore në Turqi, por institucionet kosovare nuk mbajnë evidenca rreth numrit të pacientëve të cilët kërkojnë shërim jashtë vendit.

Janë disa nga fëmijët si,  Qëndrimi, Valdeti, Endri dhe Delfina që gjetën vdekjen në spitalet e huaja.

Qëndrim Aliu, vetëm 20 vjeçar nga Vushtrria është pacienti i fundit kosovar, i cili nuk mundi që t’i bëjë ballë sëmundjes. Gjatë muajit prill të këtij viti ai ishte diagnostikuar me një lloj të rrallë të kancerit në fytyrë për shërimin e të cilit vetëm një muaj më pas udhëtoi për të kërkuar ndihmë shëndetësore në Turqi, për të u grumbulluan 200 mijë euro për afat rekord. Por, Qëndrimi pas tre muajve nuk arriti t’i mbijetonte sëmundjes, ai do të varroset në varrezat e Vushtrrisë.

Ndërkohë në korrik të këtij viti ka vdekur edhe 6-vjeçarja, Delfina Shala nga Fushë Kosova. Ajo ndërroi jetë gjatë trajtimit në një spital në Turqi, e për këtë prindërit po fajësojnë mjekët për trajtim jo të duhur mjekësor. Për shërimin e saj duheshin 16 mijë euro të cilat u siguruan përmes ndihmave nga qytetarët.

Prindi i vajzës, Lavdim Shala në një bisedë për T7, kishte thënë se me arritjen e familjes në spital, çdo shpresë që kishin ndryshoi. Përveç që patën probleme të mëdha për t’u kuptuar me mjekët, ata nënshkruan edhe një dokument të cilin po ashtu thonë se nuk e kishin kuptuar.

Pas katër ndërhyrjeve në bosht, Delfina iu nënshtrua edhe një operacioni në kokë, që qe fatal për të. Pas operacionit, vajza qëndroi disa ditë pa vetëdije, për të ndërruar jetë më 11 korrik në spitalin ‘Asya’ në Turqi. Lavdimi fajëson spitalin se nuk i kishte shpjeguar për operacionin, si dhe e kishte shtyrë në një operacion për të cilin ajo nuk kishte nevojë. Kjo familje ka deklaruar se do t’i ndjekin të gjitha rrugët ligjore karshi kësaj çështjeje.

Ministria e Shëndetësisë nuk ka të dhëna rreth numrit të pacientëve kosovarë të cilët vdesin në spitalet e huaja

Por nga Ministria e Shëndetësisë në Kosovë nuk kanë asnjë të dhënë rreth numrit të pacientëve kosovarë të cilët vdesin në spitalet e huaja. Ndonëse shumica nga ta, në këto spitale shkojnë me ndihmën e parave të buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë të destinuar për shërimet jashtë Kosovës.

Në një përgjigje për Gazetën Express, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë thënë se nuk posedojnë të dhëna për këto raste.

“Sa i përket numrin të pacientëve të cilët eventualisht kanë mundur të ndërrojnë jetë gjatë trajtimit të tyre jashtë vendit, Programi për Trajtime Jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore, nuk posedon informata të tilla. Programi për TMJIShP mban të gjitha evidencat tjera, sa i përket aplikimeve, aprovimeve, llojeve të sëmundjeve, moshën etj”, thuhet në përgjigjen e MSH’së.

Tutje nga ky institucion shëndetësor, deklarojnë se në tre muajt e fundit, në programin për trajtime jashtë vendit, kanë aplikuar 303 e qytetarë të Kosovës.

Ndërkohë, përgjatë gjithë vitit 2017 afro 2 mijë kosovarë kanë kërkuar ndihmë financiare në Ministrinë e Shëndetësisë për trajtimin e sëmundjeve nga të cilat ata vuajnë. Shumica nga ta për sëmundjet e zemrës, oftalmologji, pediatri si dhe ortopedi.

Youtube

Arkiva

Kategoritë