Të dielen në mbledhjen e mbajtur online nga qeveria e Kosovës, janë miratuar masat e reja kundër koronavirusit.
Këto masa do të shqyrtohen pas dy javësh, varësisht nga situate epidemiologjike, ka thënë qeveria.
Masat u preazantuan nga ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, të shtunën pas një takimi që pati me Komitetin për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë e koronavirusit.
Ndër masat e reja është orari i punës për sektorin e gastronomisë dhe qendrave tregtare. Këto nuk mund të punojnë nga ora 21:00 deri në orën 05:00.
Po ashtu Qeveria ka vendosur që të gjithë qytetarët e huaj të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës (RKS), e që vijnë nga vendet me risk të lartë sipas listës zyrtare të ECDC-së, duhet të dëshmojnë nëpërmjet testit RT-PCR në Sars COV-2 që janë me rezultat negativ me COVID-19, në bazë të parimit të reciprocitetit, me përjashtimet si në vijim:
Gjatë hyrjes nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” nuk kanë nevojë të kenë vërtetim për test RT-PCR negativ, duke marrë parasysh që shtetasit e huaj vetëm do të kalojnë nëpër territorin e RKS-së, dhe me kusht që në hyrje do të nënshkruajnë një deklaratë që në afat prej 3 orësh do ta lëshojnë territorin e RKS-së;
Gjatë hyrjes në pikat kufitare tokësore, me qëllim të daljes nëpër pikat ajrore, nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” dhe pikat tokësore, nuk ka nevojë për vërtetim për test RT- PCR negativ, shtetasit e huaj janë të obliguar të paraqesin biletën e aeroplanit dhe të nënshkruajnë deklaratën që brenda 3 orësh do ta lëshojnë territorin e RKS-së;
Transportuesit profesionistë (vozitësit) nuk është e nevojshme të kenë vërtetim për testin PCR negativ, me kusht që të respektohet protokolli për transport ndërkombëtar;
Për transport të organizuar me autobus ose linjë te rregullt ndërkombëtare tranzite, nuk nevojitet testi RT-PCR negativ, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e RKS-së brenda 5 orësh;
Shtetasit e huaj të cilët e kanë të rregulluar lejeqëndrimin e përkohshëm ose përhershëm në RKS, gjatë hyrjes në RKS duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negativ, të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në RKS;
Në rast të mos paraqitjes së dëshmisë së testit negativ, shtetasit e huaj obligohen të vetë-izolohen për 7 ditë;
Diplomatët e huaj që janë akredituar në RKS si dhe familjarët e tyre, nuk është e nevojshme të kenë vërtetim për test RT-PCR negativ;
Shtetasit e huaj të cilët kanë caktuar termin për mjekim në institucione shëndetësore në RKS-së, mund të hyjnë nëse paraqesin vërtetim për test TR-PCR negative, të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në RKS si dhe vërtetimin për termin të caktuar të lëshuar nga spitali;
Bartësit e dokumenteve personale të lëshuara nga RKS, mirëpo me adresë vendbanimi në një shtet tjetër gjatë hyrjes në RKS, duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negative, të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në RKS.
Miratimi i masave të reja vjen pasi Kosova ditëve të fundit ka regjistruar numër të madh të rasteve të reja me koronavirus.
Vetëm gjatë pesë ditëve të fundit, në Kosovë janë regjistruar 1,834 raste të reja./Familjajonë/