Në QKUK dhe në spitalet e Kosovës janë duke u trajtuar 398 persona të prekur me koronavirus.
593 pacientë janë të hospitalizuar në Qendrën Klinike Universitare dhe spitalet e tjera të vendit, 398 prej të cilëve janë të konfirmuar me COVID-19.
Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK), ka bërë të ditur se 15 pacientë janë në respiratorë, 24 me CPAP dhe 365 të tjerë me oksigjenoterapi, raporton ln.
Sipas SHSKUK-së, Klinika Infektive dhe Klinika Pulmologjike janë më të ngarkuarat me pacientë të prekur me koronavirus.
Kurse sa i përket spitaleve të përgjithshme janë Spitali i Prizrenit, Gjilanit dhe ai i Gjakovës që kanë numrin më të madh të pacientëve të infektuar me koronavirus.
Theksojmë se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka bërë të ditur se vetëm gjatë 24 orëve të fundit kanë ndërruar jetë 15 persona të prekur me koronavirus të cilët sipas njoftimit kishin edhe sëmundje të tjera shoqëruese, kështu duke shkuar në 22 numri i përgjithshëm i viktimave.
Po ashtu gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar edhe 226 raste të reja me koronavirus dhe numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë është 8 mijë e 330.
Ndërkaq që nga marsi kur edhe janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë e deri më tani kanë arritur që të shërohen nga ky virus 4 mijë e 578 persona.
Bazuar në këto të dhëna, aktualisht në Kosovë janë 3 mijë e 525 raste aktive me koronavirus.
Ndërkaq është kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, që ka më së shumti raste dhe vetëm brenda 24 orëve të fundit ka regjistruar 82 raste të reja me koronavirus.