Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Si të ndihmoni fëmijët të përballen me emergjencën

Pavarësisht moshës së fëmijës tuaj, ai ose ajo mund të ndjehen të mërzitur ose të kenë emocione të forta. Disa fëmijë reagojnë menjëherë, ndërsa të tjerë mund të shfaqin shenja të vështirësisë shumë më vonë. Sesi reagon një fëmijë dhe shenjat e zakonshme të stresit ndryshojnë në varësi të moshës së fëmijës, eksperiencave të mëparshme dhe  mënyrës sesi përgjithësisht përballet me stresin.

Fëmijët reagojnë sipas stilit të tyre mbi atë që shohin prej të rriturve. Nëse prindërit dhe të rriturit, në lidhje më COVID-19, do e përcjellin situatën me qetësi dhe me besim, ata kanë ofruar kështu mbështetjen më të mirë për fëmijët e tyre. Prindërit janë figurat që iu japin më shumë siguri fëmijëve se çdokush tjetër, sigurisht nëse janë të përgatitur ta bëjnë këtë gjë.

Siç e kemi përmendur në shkrimin pararendës, njerëzit shqetësohen edhe më shumë nëse shohin imazhe e dëgjojnë lajme në mënyrë të përsëritur në media. Kështu, përpiquni të kufizoni sasinë e kohës së ekspozimit tuaj apo të fëmijëve tuaj ndaj lajmeve mbi ngjarjen COVID-19.

Faktorët që ndikojnë në përjetimin emocional të fëmijëve në situata emergjence

Dëmi i shkaktuar prej një fatkeqësie mund të jetë i tejskajshëm. P.sh., prishja e shtëpisë, ndarja prej shkollës, ndarja prej prindërve dhe miqve mund të krijojë një stres shumë të madh te fëmijët.
Ndikimi emocional që ka një situatë urgjence te individi varet nga karakteristikat personale dhe eksperienca e tij, nga rrethanat sociale dhe ekonomike të individit dhe shoqërisë si dhe mundësisë për të shfrytëzuar burimet e ndihmës. Jo të gjithë fëmijët reagojnë njësoj ndaj stresit. Disa mund të kenë reagime më të forta, më të zgjatura në kohë. Ja disa faktorë që mund të ndikojnë në përgjigjen emocionale të fëmijëve:

  • Përfshirja e tyre direkte me emergjencën
  • Ngjarje traumatike pararendëse ose ngjarje stresante. Në rastin e Shqipërisë COVID-19 vjen pothuaj menjëherë pas ngjarjes së tërmetit shkatërrues të 26 Nëntorit, që konsiderohet një ngjarje madhore traumatike.
  • Besimi se ai/ajo ose prindërit mund t’i vdesin
  • Humbje e anëtarëve të familjes, shokëve të ngushtë etj.
  • Ndarja prej prindërve, kujdestarëve (p.sh., karantinimi i njërit prind ose të afërm, etj).
  • Plagosje fizike
  • Mënyra sesi reagojnë prindërit dhe të afërmit për ngjarjen.
  • Burimet familjare
  • Marrëdhënia e komunikimi ndërmjet anëtarëve të familjes.
  • Ekspozim i vazhdueshëm ndaj lajme, TV, mediave mbi ngjarjen COVID-19.
  • Stres që shoqëron ndryshimin e rutinës, p.sh, i duhet të qëndrojnë në shtëpi, të bëjnë mësim online, të mos shkojnë në sport, të ndryshojnë pra stilin e përditshëm.
  • Aspektet e lidhura me kulturën e vendit.
  • Mekanizmat mbrojtës të komunitetit ku jeton

Çfarë mund të bëni për të ndihmuar fëmijët t’ia dalin emocionalisht

Dhënia e shembullit tuaj të mirë në përballimin e stresit nëpërmjet stileve të shëndetshme të jetës, si ngrënia e shëndetshme, kryerja e ushtrimeve në shtëpi, gjumë i gjatë, mos përdorimi i alkoolit apo barnave. Kur ju prindër jeni të përgatitur, të qetë, keni pushuar mjaftueshëm, mund t’iu përgjigjeni me më shumë efektshmëri ngjarjeve të papritura dhe mund të merrni vendime në të mirë të nevojave të familjes dhe fëmijëve tuaj.

Disa këshilla më poshtë mund t’ju ndihmojnë të reduktoni stresin përpara, gjatë dhe pas një ngjarjeje traumatike.

Përpara Epidemisë
  • Flisni me fëmijët tuaj, kështu që ata të mësojnë se ju jeni të përgatitur t’i siguroni mbrojtje.
  • Flisni për planet tuja që i sigurojnë fëmijët që ju e keni një plan dhe dini si të veproni në rast të epidemisë.
  • Jepini ndjesinë e të pasurit të gjërave nën kontroll.
Gjatë epidemisë
  • Qëndroni të qetë dhe siguroni fëmijët tuaj
  • Flisni me ta për atë që po ndodh në një mënyrë që ata mund t’ju kuptojnë.
  • Flisni thjesht dhe përshtatshëm për moshën e tyre.
Pas epidemisë
  • Jepini mundësi fëmijëve të flasin mbi ngjarjen, sesi e përjetuan ata, se çfarë mendojnë për ngjarjen. Nxitini t’ju bëjnë pyetje dhe të shprehin shqetësimin e tyre.
  • Mund t’i ndihmoni fëmijët të kenë një sens kontrolli mbi ndjenjat e tyre dhe që t’i kontrollojnë ndjenjat e tyre duke u bërë të dobishëm, p.sh., duke ndihmuar në lidhje me rikuperimin pas ngjarjes, duke bërë ndonjë punë vullnetare në ambiente të sigurta sigurisht.
  • Kujdes, fëmijët nuk duhet të marrin pjesë në aktivitete pastrimi ambientesh, aktivitete shëndetësore apo të tjera të këtij lloji për arsye sigurie.
  • E vështirë është të parashikosh sesi do të përgjigjen disa fëmijë ndaj ngjarjeve traumatike siç është në këtë rast pandemia COVID-19. Duke qenë se prindërit, mësuesit dhe të rriturit e tjerë i shohin fëmijët në situata të ndryshme është e rëndësishme për ta të punojnë së bashku, për të marrë informacion sesi fëmija po reagon ndaj ngjarjes.


Reagime të zakonshme:

Reagimet e zakonshme ndaj stresit do të sfumohen në pjesën më të madhe të fëmijëve me kalimin e kohës. Fëmijët që janë direkt të ekspozuar ndaj ngjarjes mund të vazhdojnë të jenë të shqetësuar; ngjarje që kanë të bëjnë me gripin mund t’iu kujtojnë atyre çfarë ndodhi. Nëse fëmijët vazhdojnë të jenë shumë të shqetësuar ose nëse reagimet e tyre mund të dëmtojnë dikë në shkollë ose të përkeqësojnë marrëdhëniet e tyre sociale, atëherë prindërit do duhet të drejtohen te profesionistët e shëndetit mendor për të marrë këshilla në lidhje me aspektin emocional të fëmijëve të tyre.

Për fëmijët 2 vjeçarë:

Ata mund të bëhen tekanjozë. Qajnë më shumë se zakonisht ose duan më shumë në krahë e pranë mamit.

Për fëmijët 3-6 vjeç:

Fëmijët e kopështit dhe parashkollorët mund t’i rikthehen sjelljeve të moshave më të vogla. P.sh., aksidente me jashtëqitjen, lagie të krevatit, ose të jenë të frikësuar prej ndarjes nga nëna ose nga figurat kryesore. Ata mund të kenë kriza inati ose pamundësi t’i zërë gjumi.

Fëmijët 7-10 vjeç:

Fëmijët më të rritur mund të ndjehen të mërzitur, të inatosur ose të trembur se ngjarja do të ripërsëritet. Shokët e tyre mund të kenë ndarë me ta informacione të gabuara ose false, gjithsesi prindërit ose të afërmit mund të t’i ndihmojnë t’i sqarojnë këto keqinformime. Fëmijët më të mëdhenj mund të kapen pas detajeve që ka lidhje me ngjarjen dhe duan të flasin për to gjatë tërë kohës ose nuk duan të flasin aspak për to. Ata po ashtu mund të kenë vështirësi të përqendrohen.

Fëmijët adoleshentë

Disa adoleshentë reagojnë ndaj traumës duke bërë veprime të papërmbajtshme. P.sh., ngarje makinës pakujdes, përdorim alkooli ose drogëra. Të tjerë mund të kenë vështirësi të largohen nga shtëpia. Madje ata mund të kenë vështirësi të kalojnë kohë me miqtë. Mund të ndjehen shumë të ngarkuar dhe me emocione të forta si dhe të ndjehen të paaftë të flasin për veten. Emocionaliteti i tyre mund të çojë në episode zënkash me vëllezër apo motra, me prindërit apo familjarët dhe me të rriturit e tjerë.

Fëmijët me nevoja të veçanta

Fëmijët që mund të kenë nevojë për makineri për të marrë fryme, ata që janë në karrocë me rrota ose në shtrat, mund të kenë reagime emocionale më të mëdha në raste ekstreme si ky i pandemisë COVID-19. Ata mund të kenë frikë e preokupim ekstrem, inat për fëmijët pa nevoja të veçanta duke qenë se kanë më pak kontroll me cilësinë e tyre të jetës gjatë të përditshmes krahasuar me njerëzit e tjerë. E njëjta gjë ndodh për fëmijët me kufizime të tjera fizike, emocionale dhe intelektuale. Fëmijët me nevoja të veçanta mund të kenë nevojë për ndihmë më të madhe, një risigurim me fjalë, shpjegime më të shumta dhe më shumë kontakt fizik si psh, përqafime prej njerëzve të dashur. /Familja Jone

Youtube

Arkiva

Kategoritë