Sht, Nën 30, 2024
Banner Top
Banner Top
Protezat e të dyja gjunjëve në një seancë kirurgjikale

Shkruar nga: Dr. Evren Fehmi ATAY- Specialist i Ortopedisë dhe Traumatologjisë

Artroza e gjurit (gonartroza) është një sëmundje mjaft e shpeshtë degjenerative që prek artikulacionin e gjurit. Bëhet fjalë për një konsumim të sipërfaqes artikulare të kockave që përbëjnë artikulacionin e gjurit, patela, tibia dhe femuri. Në fundet e tyre, aty ku ata bashkohen për të formuar këtë nyje të rëndësishme, që është artikulacioni i gjurit, sipërfaqja e kockave është e veshur me një ind që quhet kërc. Kërci është i ndërtuar në mënyrë të atillë që të jetë sa më i lëmuar që të jetë e mundur, për të minimizuar forcat e fërkimit gjatë lëvizjes. Mirëpo e veçanta e këtij indi kërcor është se fatkeqësisht nuk ka enë gjaku, pra nuk ka arterie për ta furnizuar atë me lëndë ushqyese, duke bërë që këto lëndë t’i marrë vetëm nëpërmjet lëngut sinovial.

Cili është shkaku i artrozës?

Në pjesën më të madhe të rasteve që ne hasim çdo ditë, nuk është se gjejmë ndonjë shkak për artrozën e gjurit, dhe kjo quhet artrozë parësore. Por nëse kërkojmë me kujdes në historinë jetësore të pacientit, tek një pjesë shumë e vogël mund të zbulojmë edhe ndonjë shkak.

Një shkak, për shembull, mund të jetë një traumë që ka kaluar pacienti më parë. Kjo traumë mund të jetë një frakturë e kockës, dëmtim i menisqeve kur pacienti ka qenë më i ri, ose dëmtim i ligamenteve të gjurit si pasojë e një traume.

Shkak tjetër mund të jenë edhe sëmundje që në fund të procesit të vet prodhojnë artrozën. Një nga këto sëmundje është artriti reumatoid (sëmundje inflamatore që prek artikulacionet tek njëriu)  i cili në fund të procesit të vet shkakton degjenerimin e kërcit duke prodhuar atë që ne e quajmë pastaj artrozë e gjurit.

Cilat janë ankesat kryesore të pacientëve që vuajnë nga artroza e gjurit?

Ankesa kryesore e pacientëve që vuajnë nga artroza e gjurit në spitalin tonë është dhimbja. Për dallim nga sëmundjet e tjera, karakteristike për artrozën është se kjo dhimbje lidhet në mënyrë ekskluzive me aktivitetin. Këta pacient e ndjejnë dhimbjen në momentin që fillojnë dhe lëvizin, sidomos në mëngjes kur çohen nga shtrati dhe gjatë ditës. Në momentin që qëndrojnë në qetësi, ulur ose natën, shumica prej tyre nuk ndjejnë asnjë lloj shqetësimi.

Një ankesë tjetër është çalimi. Një nga arsyet që çalojnë është se duan të mbrohen nga dhimbja dhe kjo ndryshe në mjekësi quhet ecje antalgjike.

Ndonjëherë këta pacientë ankohen edhe për kërcitje të gjurit dhe bllokim në ecje. Në raste jo shumë të shpeshta shofim edhe enjte të gjurit e cila vjen sipasojë e shtimit të lëngut sinovial.

Si bëhet trajtimi i artrozës së gjurit?

Para se të kalojmë tek trajtimi, duhet të kuptojmë diçka, sepse kemi dy koncepte: trajtim dhe kurim.
Trajtim do të thotë kur trajtojmë sëmundjen dhe kurim kur përpiqemi të zhdukim ekzistencën e saj. Fatkeqësisht studimet që janë bërë për artrozën e gjurit, nuk kanë zbuluar ndonjë medikament që merret nga goja ose injektohet direkt në artikulacion dhe ta shërojë atë. Prandaj kur flasim për artrozën, nuk mund të pretendojmë që ta kurojmë, sepse kurim në këtë rast do të thoshte që kërcin e dëmtuar, gërvishtur, plasaritur, holluar ta kthenim në gjendjen e mëparshme.

Kështu që trajtimi që ne i përshkruajmë pacientëve me medikamente, është i drejtuar drejt heqjes së dhimbjes dhe zakonisht e fillojmë me dhënien e paracetamolit, një medikament i thjeshtë, por që në artrozën e gjurit vepron shumë mirë si linjë e parë trajtimi ose me antiinflamatorët  josteroid, një grup tjetër medikamentesh për dhimbje.

Tek trajtimi konservativ hyn edhe fizioterapia. Një nga gjërat që ndodh tek pacientët që vuajnë nga artroza  e gjurit është atrofia muskulare (hollimi, dobësimi i muskujve) përreth gjurit, kofshës dhe kërcirit. Duke qenë se pacienti nuk e përdor gjymtyrën siç duhet për shkak të dhimbjes, këta muskuj rrjedhimisht fillojnë e dobësohen. Kjo bën të nevojshme fizioterapinë, synimi i së cilës në këtë rast është të kthejë në gjendjen fillestare muskujt që janë holluar, atrofizuar.

Një mënyrë tjetër konservative është edhe mbajtja e një bastuni ose paterice. Është parë që mbajtja e një shkopi në anën e  kundërt me gjymtyrën e prekur nga sëmundja e ul me 30% ngarkesën që i bie gjatë çdo hapi gjymtyrës së prekur nga sëmundja, dhe kjo lehtëson deri diku dhimbjen.

Kur është i nevojshëm trajtimi kirurgjikal?

Trajtimin kirurgjikal ne e konsiderojmë si zgjidhjen e fundit për pacientët që vuajnë nga artroza e gjurit. Kur kemi provuar të gjitha mënyrat nëpërmjet trajtimit konservativ, por edhe pas gjithë këtyre përpjekje pacienti vazhdon të ketë dhimbje, atëherë marrim në konsideratë trajtimin kirurgjikal.

Baza e trajtimit kirugjikal është zëvendësim i pjesës së dëmtuar, si nga pjesa e sipërme (femurit, kofshës) dhe nga pjesa e poshtme që i takon tibies (kërciri) me protezë.

Synimi i trajtimit kirurgjikal është që të heqim sipërfaqet e kërcit të dëmtuar që prodhojnë dhimbje dhe t’i zëvendësojmë ato me protezë totale (endoprotezë).

Zakonisht është një ndërhyrje që ne preferojmë ta bëjmë sepse supozohet që tek shumica e njerëzve dhe aktiviteti është më i kufizuar, por në shumë raste zëvendësimi total i gjurit me protezë bëhet edhe në mosha më të reja, në varësi të shkallës së sëmundjes.

Në spitalin tonë aplikimi i endoprotezës totale të gjunjëve është një ndër operacionet rutinore. Madje në të shumtën e rasteve ndërhyrja kryhet në të dy gjunjët në të njejtën seancë kirurgjikale. Me sa kam dëgjuar se neve jemi të vetmit në vend dhe rajon që përdorim këtë metodë kurimi të dyfishtë në të njëjtën seancë operacioni. Parë nga eksperienca shumëvjeçare e këtyre rasteve kam konstatuar se përparësia e aplikimit të endoprotezave bilaterale ose të të dyja gjunjëve në një akt ndërhyrjeje kirurgjikale është se pacienti i nënshtrohet vetëm një herë anestezionit si dhe koha e kurimit pas kësaj është shumë më e shpejtë.

Por para se pacienti t’i nënshtrohet kësaj ndërhyrjeje, bëhen një sërë ekzaminimesh preoperatore për të parë gjendjen shëndetësore të përgjithshme të pacientit. Nëse pas këtyre ekzaminimeve ai klasifikohet si pacient që mund ta ndërmarrë këtë operacion, atëherë ai hospitalizohet dhe i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale e cila mund të realizohet me anestezi gjenerale (të përgjithshme) ose spinale.

Të nesërmen e operacionit pasi është bërë zëvendësimi i gjunjëve me protezë, pacienti mund të ngrıhet nga shtrati me ndihmën e patericave dhe të fillojë të ecë, madje në shumë raste të vendosë edhe gjithë peshën e  trupit tek gjymtyra e operuar. Kjo është shumë pozitive jo vetëm nga pikëpamja shëndetësore, por edhe psikologjike. Mesatarisht këtij pacienti do t’i duhet një periudhë një javore  për t’u hequr patericat dhe rehabilituar plotësisht.

Më poshtë mund të shihni disa nga rastet e rehabilituara plotësisht në spitalin tonë:

Youtube

Arkiva

Kategoritë