Die, Gus 16, 2026
Banner Top
Banner Top
Gushti – muaji i shëndetit dhe sigurisë së syve te fëmijët

Klinika Gjermane e Syrit në Prishtinë ka përcjellë një mesazh për prindërit lidhur me rëndësinë e kujdesit ndaj shëndetit të syve te fëmijët, veçanërisht afër fillimit të vitit të ri shkollor.

Në kuadër të Muajit të Shëndetit dhe Sigurisë së Syve te Fëmijët, klinika ka rikujtuar se shikimi luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e fëmijëve, në procesin e të mësuarit dhe në mirëqenien e tyre të përgjithshme.

“Gushti njihet si Muaji i Shëndetit dhe Sigurisë së Syve te Fëmijët. Ky muaj na rikujton sa i rëndësishëm është shikimi për zhvillimin, mësimin dhe mirëqenien e fëmijëve.” ka shkruar KGJS-ja.

Sipas tyre, vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet problemeve të shikimit që mund të kalojnë pa u vërejtur. Fëmijët jo gjithmonë janë në gjendje të kuptojnë ose të shprehin se kanë vështirësi me shikimin, gjë që mund të ndikojë edhe në përditshmërinë dhe procesin e tyre të të nxënit.

“Shumë probleme me shikimin nuk japin shenja të dukshme, ndaj një fëmijë mund të mos e kuptojë se nuk sheh mirë. Një kontroll i syve para fillimit të vitit të ri shkollor mund të ndihmojë në zbulimin e hershëm të problemeve me shikimin dhe trajtimin e tyre në kohë.” paralajmëron klinika.

KGJS-ja thekson se kontrollet e syve para fillimit të vitit shkollor mund të ndihmojnë në identifikimin në kohë të problemeve të mundshme dhe në marrjen e masave të nevojshme për trajtimin e tyre. Një vlerësim i hershëm i shikimit mund të jetë veçanërisht i rëndësishëm për fëmijët që përballen me vështirësi gjatë leximit, përqendrimit apo ndjekjes së mësimit.

Rëndësia e shikimit të mirë, sipas klinikës, nuk lidhet vetëm me aktivitetet shkollore, por edhe me mënyrën se si fëmijët ndërveprojnë me mjedisin dhe marrin pjesë në aktivitetet e tyre të përditshme.

“Një shikim i mirë i ndihmon fëmijët të mësojnë, të lexojnë dhe të marrin pjesë me besim në aktivitetet e përditshme.”

Me këtë mesazh, Klinika Gjermane e Syrit u rikujton prindërve rëndësinë e kujdesit të vazhdueshëm për shëndetin e syve të fëmijëve dhe veçanërisht të kontrolleve të shikimit në prag të një viti të ri shkollor.

Për prindërit që dëshirojnë të marrin më shumë informacion ose të caktojnë një kontroll të syve për fëmijët e tyre, Klinika Gjermane e Syrit gjendet në kilometrin e 5-të të rrugës dytësore Prishtinë–Ferizaj. Klinika mund të kontaktohet në numrat +383 (0)38 60 60 63 dhe +383 (0)45 33 85 88, si dhe përmes adresës elektronike info@kgjs.net.

Youtube

Arkiva

Kategoritë