Sht, Nën 30, 2024
Banner Top
Banner Top
Studimi: Konsumimi i sheqerit në 1000 ditët e para pas ngjizjes i lidhur me problemet shëndetësore të mëvonshme

Një studim i ri ka zbuluar se ulja e konsumimit të sheqerit gjatë 1,000 ditëve të para pas ngjizjes së embrionit,  mund të reduktojë rrezikun e sëmundjeve kronike më vonë në jetë, siç janë diabeti i tipit 2 dhe tensioni i lartë i gjakut.

Studimi, i botuar në revistën Science, sugjeron se kufizimi i konsumit të sheqerit gjatë kësaj periudhe të rëndësishme mund ta ulë rrezikun e diabetit të tipit 2 me 35% dhe të tensionit të lartë të gjakut me 20%. Po ashtu, studiuesit kanë zbuluar se kufizim i sheqerit mund të shtyjë shfaqjen e këtyre sëmundjeve për disa vjet, katër vjet për diabetin dhe dy vjet për hipertensionin, ka shkruar  CNN.

Në studim u përdorën të dhëna nga e kaluara nga Britania e Madhe, duke shqyrtuar periudhën e krizës gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, ku kishte kufizim të ushqimeve përfshirë sheqerit. Nga 1940 deri në 1953, qeveria britanike kufizoi konsumimin e sheqerit për shkak të mungesave. Kur racionimi përfundoi më 1953, konsumimi i sheqerit në Britani u dyfishua pothuajse menjëherë dhe kjo gjë i ka dhënë mundësinë studiuesve të analizojnë pasojat afatgjata të rritjes së konsumit të sheqerit. Ata gjetën se fëmijët që u lindën gjatë periudhës së racionimit kishin rrezik 30% më të ulët për mbipeshë, krahasuar me ata që u lindën pas përfundimit të racionimit. Po ashtu, ata shfaqën një rritje më të ngadaltë të diabetit të tipit 2 dhe hipertensionit më vonë në jetë.

Studimi sugjeron gjithashtu se kufizimi i konsumit të sheqerit gjatë shtatzënisë dhe në vitet e para të jetës së foshnjës mund të reduktojë dëshirën e një fëmije për ushqime të ëmbla gjatë gjithë jetës. Ulja e konsumit të sheqerit gjatë kësaj periudhe mund të ndihmojë që kjo dëshirë të mos zhvillohet.
Ekspertët, përfshirë doktorin Mark Corkins, theksojnë se njerëzit janë biologjikisht të dizajnuar të duan ëmbëlsirat, por konsumi i sheqerit në nivele të tilla të larta, sidomos produktet me sheqer të rafinuar, shkakton probleme shëndetësore. Konsumi i sheqerit në sasi të tepërta ndryshon metabolizmin dhe bën që trupi të depozitojë yndyrë, një mekanizëm që përdorej dikur për t’u mbrojtur gjatë periudhave të urisë.

Në SHBA, konsumi i sheqerit është shumë i lartë dhe shumë fëmijë konsumojnë pije të sheqerosura pa marrë mjaftueshëm fruta dhe perime. Udhëzimet shtetërore për ushqimin sugjerojnë që sheqeri i shtuar të mos kalojë 10% të kalorive ditore për të gjithë ata që janë mbi 2 vjeç, por kjo është shpesh një sfidë për prindërit.

Autorët e studimit kanë deklaruar se përveç përmirësimit të njohurive të prindërve për ushqimin, duhet të ketë një përgjegjësi më të madhe për kompanitë ushqimore që të ofrojnë mundësi më të shëndetshme për ushqimet për foshnjat dhe të rregullojnë reklamat dhe çmimet e ushqimeve të sheqerosura që shiten për fëmijë.

Një nga mënyrat për të ulur konsumimin e sheqerit te fëmijët është që prindërit të ndryshojnë zakonin e tyre të të ngrënit. Doktori Corkins thekson se ndikimi më i madh është ai i prindërve, pasi fëmijët shpesh e imitojnë atë që hanë prindërit. Po ashtu, mund të zëvendësohen pijet e sheqerosura me alternativa më të shëndetshme dhe të shmangen ushqimet e sheqerosura në shtëpi.

“Reduktimi i sheqerit në vitet e para të jetës është një hap i fuqishëm për ta përmirësuar shëndetin afatgjatë të fëmijëve dhe se me informacion më të mirë dhe mbështetje, prindërit mund të zvogëlojnë më lehtë ekspozimin ndaj sheqerit për veten dhe fëmijët e tyre”, thuhet në studimin. 

Youtube

Arkiva

Kategoritë