Një studim i ri shikoi se si truri ndryshon gjatë shtatzënisë dhe mund të ndihmojë në kuptimin më të mirë të çështjeve si depresioni pas lindjes.
Shkencëtarët kanë analizuar trurin e një gruaje gjatë shtatzënisë për të ofruar hartën e parë të detajuar të tillë gjatë shtatzënisë shkruan burimi Euronews Health.
“Ne donim të shikonim trajektoren e ndryshimeve të trurit në mënyrë specifike brenda dritares së shtatzënisë,” tha në një deklaratë, Laura Pritschet, autorja kryesore e studimit nga Universiteti i Kalifornisë, Santa Barbara.
Autorët shpresojnë se hulumtimi një ditë mund të japë të dhëna edhe për çrregullime si depresioni pas lindjes.
Ekipi filloi të ndiqte Liz Chrastil, e cila punon në Universitetin e Kalifornisë, Irvine, në SHBA pak para se të mbetej shtatzënë përmes fekondimit in vitro (IVF).
Gjatë shtatzënisë dhe për dy vjet pasi ajo lindi, ata vazhduan të bënin skanime të trurit MRI dhe të merrnin gjak për të vëzhguar se si truri i saj ndryshoi. “Ka qenë një udhëtim shumë i gjatë,” tha Chrastil, bashkëautor i punimit të botuar të hënën në “Nature Neuroscience”.
“Ne bëmë 26 skanime para, gjatë dhe pas shtatzënisë” dhe gjetëm “disa gjëra vërtet të jashtëzakonshme”, tha ajo. Ekipi zbuloi se më shumë se 80 për qind e rajoneve të studiuara kishin reduktime në vëllimin e lëndës gri, ku ndodh të menduarit.