Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Të mendosh shumë mund të të ‘lëndojë’ trurin, thotë studimi i ri

Përpjekjet mendore duket se shoqërohen me ndjenja të pakëndshme në shumë situata, thanë studiuesit në revistën Psychological Bulletin

Njerëzit që fërkojnë ballin dhe ankohen se një problem kompleks po i lëndon trurin, nuk i mbivlerësojnë gjërat, sugjeron një hulumtim i ri.

Në fakt, sa më e madhe të jetë përpjekja mendore e një personi, aq më shumë ai përjeton ndjenja si zhgënjim, acarim, stres ose bezdi, tregojnë rezultatet.

Ç’përjetojnë njerëzit kur kolegu apo miku të ankohet: “Më dhemb edhe kur mendoj!” Në fillim, kjo mund të duket si një ekzagjerim. Po nëse ata nuk po e teprojnë?

Një studim i fundit i publikuar nga “American Psychological Association” ka bërë kërkime për këtë temë. Sipas tij, përpjekja mendore shoqërohet me ndjenja të pakëndshme në një sërë situatash.

Në qendër të këtij studimi është Dr. Erik Bijleveld nga Universiteti “Radboud”. Me përvojën e tij të gjatë, Dr. Bijleveld udhëhoqi kërkimin me një pyetje të qartë: “A e pëlqejnë njerëzit të mendojnë?” Ai zbuloi se, në përgjithësi, njerëzit nuk janë të prirur për përpjekje mendore dhe mendime sfiduese.

“Menaxherët shpesh inkurajojnë punonjësit dhe mësuesit shpesh inkurajojnë studentët që të bëjnë përpjekje mendore. Në pamje të parë, kjo duket efektive: Punonjësit dhe studentët shpesh zgjedhin aktivitete që kërkojnë përqendrim të madh,” vuri në dukje Dr. Bijleveld. “Por rezultatet tona sugjerojnë se njerëzit zakonisht nuk e pëlqejnë përpjekjen mendore.”

Kërkuesit bënë një analizë të 170 studimeve të publikuara ndërmjet viteve 2019 dhe 2020, me mbi 4,670 pjesëmarrës. Secili prej këtyre studimeve u analizua për të përcaktuar se si njerëzit, në përgjithësi, i perceptojnë mendimet e tilla.

Pjesëmarrës nga fusha të ndryshme – punonjës të kujdesit shëndetësor, personel ushtarak, studentë, madje edhe atletë – morën pjesë në këto studime që përfshinin 29 vende të ndryshme. Detyrat varionin nga mësimi i një teknologjie të re deri tek orientimi në një mjedis të panjohur dhe praktikimi i goditjeve të topave të golfit.

Një element i përbashkët në të gjitha këto studime? Pjesëmarrësit raportuan në mënyrë të vazhdueshme ndjenja të pakëndshme si stresi, irritimi dhe mërzia kur angazhoheshin në përpjekje mendore të thella.

Ajo që spikat nga kërkimi është e qartë: sa më e madhe të jetë përpjekja mendore, aq më e theksuar është pakënaqësia e përjetuar nga individët. Pavarësisht nga detyra apo grupi i popullatës, kjo mbeti e vërtetë në të gjitha rastet.

Megjithatë, Dr. Bijleveld nënvizon një ndryshim. Lidhja midis përpjekjes mendore dhe ndjenjave të pakëndshme ishte dukshëm më e zbutur në studimet e kryera në vendet aziatike, në krahasim me ato në Evropë apo Amerikën e Veriut.

Kjo mund të lidhet me traditën arsimore të këtyre vendeve; studentët në vendet aziatike shpesh i kushtojnë më shumë kohë studimeve, duke mësuar të përballojnë nivele më të larta të përpjekjes mendore që në moshë të vogël.

Youtube

Arkiva

Kategoritë