Dita botërore e Hepatitit organizohet çdo vit në 28 korrik dhe ka si qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe të informimit të popullatës për hapatitin viral i cili shkakton inflamacion të mëlçisë dhe çon në probleme shëndetësore të ndryshme dhe deri në kancer të mëlçisë.
Ekzistojnë 5 tipe kryesore të hepatitit të cilët janë: A, B, C, D dhe E. Hepatiti B dhe C sëbashku janë shkaku më i zakonshëm i vdekjeve me afërsisht 1.3 milion jetë të humbura çdo vit. Gjatë kësaj periudhe të pandemisë COVID-19 hepatiti viral vazhdon të marrë mijëra jetë çdo ditë.
Slogani i ditës botërore të hepatiti për këtë vit është “Një e ardhme pa hepatit” duke pasur në vëmendje parandalimin e hepatitit B tek nënat dhe të porsalindurit. Në këtë ditë Organizata Botërore e Shëndetësisë do të lançojë rekomandimet e reja pë parandalimin e transmetimit te këtij virusi nga nëna – fëmija.
Çfarë është hepati viral?
Hepatiti viral është inflamacion i mëlçisë, i njohur si verdhëza, i shkaktuar nga viruse të ndryshme. Ka disa lloje hepatitesh virale A, B, C, D dhe E, në varësi të llojit të virusit që i shkakton. Hepatiti viral është një problem i shëndetit publik mbarëbotëror, për shkak të barrës së sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë që ai shkakton. Hepatiti viral prek qindra miliona njerëz në mbarë botën duke shkaktuar sëmundje akute dhe kronike të mëlçisë, si dhe është një nga shkaqet kryesore të vdekjes në nivel global. Parashikimet janë që hepatiti viral të renditet ndër shkaktarët kryesorë të vdekjeve në dy dekadat në vazhdim. Në veçanti, llojet B dhe C të hepatitit çojnë në sëmundje kronike qindra miliona njerëz, dhe së bashku janë shkaku më i zakonshëm i cirrozës dhe kancerit të mëlçisë që shpesh përfundojnë në vdekje. Virusi i hepatitit B dhe hepatitit C së bashku shkaktojnë rreth 80% të rasteve të kancerit të mëlçisë në botë.
Për këtë arsye, më poshtë po japim informacion më të detajuar për hepatitin B.
Çfarë është hepatiti viral B?
Hepatiti B është një infeksion i mëlçisë, potencialisht kërcënues për jetën, që shkaktohet nga virusi i hepatitit B dhe që mund të shkaktojë sëmundje akute dhe kronike. Hepatiti B është një problem madhor global shëndetësor dhe lloji më i rëndë i hepatitit viral. Ai mund të shkaktojë sëmundje kronike të mëlçisë, dhe i vë njerëzit në rrezik të lartë vdekjeje nga cirroza dhe kanceri i mëlçisë. Kanceri i mëlçisë është pothuaj gjithmonë fatal, dhe shpesh zhvillohet te persona që janë në moshën më produktive dhe që kanë përgjegjësi familjare.
Si transmetohet?
Virusi i hepatitit B transmetohet nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me gjakun, me spermën apo lëngun vaginal të një personi të infektuar. Mënyrat e transmetimit janë të njëjta si për virusin HIV, por virusi i hepatitit B është 50 deri në 100 herë më infektues. Ndryshe nga virusi HIV, virusi i hepatitit B mund të mbijetojë jashtë trupit së paku për 7 ditë. Gjatë kësaj kohe, virusi mund të shkaktojë infeksion nëse hyn në trupin e një personi i cili nuk është i mbrojtur nga vaksina. Çdo njeri që bie në kontakt me gjakun apo lëngje të tjera të trupit të një personi të infektuar me virusin e hepatitit B, është i rrezikuar të infektohet. Rreziku është më i madh nëse personi:
- Shpohet me age të infektuara.
- Injekton drogë me të njëjtën shiringë që ka përdorur një person i infektuar me hepatit B.
- Përdor mjetet personale si furçën e dhëmbëve apo mjetet e rojes të personit të infektuar.
- Bën seks me një person të infektuar pa përdorur prezervativ.
- Ka më shumë se një partner seksual apo i ndërron shpesh ata.
- Bën tatuazhe apo vendos vathë (piercing) me mjete të ndotura që i ka përdorur më parë një person i infektuar.
- Nëna shtatzënë e infektuar me virusin e hepatitit B mund të infektojë fëmijën e saj të porsalinndur.
Hepatiti B nuk përhapet nëpërmjet kontaktit të përditshëm si: puthja, përqafimi, kollitja, teshtitja, kapja apo shtërngimi i duarve, ose përdorimi i përbashkët i enëve të kuzhinës. Virusi i hepatitit B nuk përhapet nga ushqimi apo uji i kontaminuar, dhe nuk mund të përhapet rastësisht në vendin e punës.
Çfarë shenjash ka?
Periudha e inkubacionit të hepatitit B është mesatarisht 75 ditë, por mund të variojë nga 1 deri 6 muaj. Shumica e njerëzve nuk përjetojnë asnjë shenjë gjatë fazës të fshehur të infeksionit. Kur shfaqen shenjat ato përfshijnë: zverdhje të lëkurës dhe syve, urinë të errët, lodhje ekstreme, të përzjera, të vjella dhe dhimbje barku. Virusi i hepatitit B mund të shkaktojë infeksion kronik të mëlçisë, që më vonë mund të kalojë në cirrozë apo kancer të mëlçisë. Gjasat që infeksioni me virusin e hepatitit B të bëhet kronik, varet nga mosha në të cilën një person infektohet. Fëmijët e vegjël të cilët infektohen me virusin e hepatitit B kanë më shumë gjasa për të zhvilluar infeksione kronike
Si diagnostikohet?
Nëse një person është i infektuar, kjo mund të konstatohet vetëm nëpërmjet bërjes së testit të gjakut. Një numër testesh janë në dispozicion për të diagnostikuar personat me hepatit B. Por, për fat të keq, një pjesë e njerëzve nuk e dinë që janë të infektuar sepse nuk kanë shenja të dukshme. Kur ata fillojnë të kenë shenja, dëmtimet kanë përparuar.
Si trajtohet?
Nuk ka trajtim specifik për hepatitin akut B, ndërsa hepatiti B kronik mund të trajtohet me barna, përfshirë interferonin. Trajtimi mund të kushtojë mijëra dollarë në vit, prandaj nuk është në dispozicion për shumicën e njerëzve në vendet në zhvillim.