Studimi më i madh i kryer ndonjëherë mbi modelet e ciklit menstrual gjatë gjithë jetës së një gruaje zbuloi se gratë përjetojnë një rritje të konsiderueshme në gjatësinë dhe ndryshueshmërinë e ciklit duke filluar nga mosha 45-vjeçare.
Në një kohë kur kërkimet për shëndetin e grave ende mungojnë shumë, studimet mbi permenopauzën dhe ciklet menstruale të grave janë edhe më të pakta. Një studim i ri synon të plotësojë këtë boshllëk, shkruan burimi Health News.
Studimi, i publikuar në “Scientific Reports”, dhe i kryer me ndihmën e aplikacionit të gjurmimit të periodave menstruale Flo Health, kishte për qëllim të përshkruante ndryshimet në karakteristikat e ciklit menstrual në mosha të ndryshme dhe simptomat që ato shkaktojnë, duke përdorur grupin e të dhënave të Flo Health prej 19 milionë përdoruesish.
Bazuar në informacionin e vetë-raportuar të ciklit menstrual dhe simptomave në një kampion përdoruesish të aplikacionit Flo ndërmjet moshës 18 dhe 55 vjeç, studimi zbuloi se deri në moshën 45-vjeç, ciklet gradualisht shkurtohen. Por që në këtë moshë, ndërsa gratë i afrohen menopauzës, ciklet e tyre bëhen më të gjata dhe më të çrregullta.
“Rëndësia e këtij studimi qëndron në kronifikimin e të dhënave të ciklit menstrual dhe simptomave për një popullatë të madhe dhe të larmishme të grave që shtrihen në moshë nga ajo e hershme deri në vitet perimenopauzale,” tha Dr. Lubna Pal, profesoreshë e obstetrikës dhe gjinekologjisë në Yale e cila ndihmoi në kryerjen e studimit.
Konkretisht, studimi zbuloi se përqindja e grave me cikle të parregullta ishte më e larta te pjesëmarrëset e moshës 51-55 vjeç (44.7%) dhe më e ulëta në grupmoshën 36-40 vjeç (28.3%). Simptomat menstruale, duke përfshirë ngërçet dhe aknet, u zbuluan se ishin më pak të zakonshme tek pjesëmarrëset e moshës së mesme, ndërsa dhimbja e kokës, dhimbja e shpinës, stresi dhe pagjumësia ishin më të larta tek kjo grupmoshe.