Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top

Kuvendi i OIK miraton statutin e ri dhe një sërë rregulloresh.

Oda e infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë ka bërë miratimin e Statutit të Ri, me një sërë ndryshimesh që rrisin llogaridhënien dhe transparencën si dhe ka krijuar lehtësi përmes procesit të ndryshimit të një mori rregulloresh.

Oda e infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë, në një Kuvend të Jashtëzakonshëm të mbajtur në Prishtinë ka miratuar statutin e ri të OIK si dhe disa rregulloreve, ndryshime këto të domosdoshme në procesin reformues të Odës.

Kryetarja e OIK, Nexhmije Gori, ka thënë se viti 2024 do të jetë vit reformues, duke rishikuar të gjitha rregulloret e brendshme të OIK me qëllimin e vetëm demokratizimin dhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënies.
Dhe mbi të gjitha, sipas kryetares Gori, me këto ndryshime do të krijohet një lidhje e ngushtë mes anëtarëve të Kuvendit dhe njësive të tyre zgjedhore.
“Koncepti i Ligjit për Odat e profesionistëve tjerë shëndetësorë, e në veçanti sistemi zgjedhor bazohet në aktivizim të përgjithshëm të tërë komunitetit si dhe në organizimin dhe funksionimin e Odës”, ka thënë kryetarja Gori, duke shtuar se synim i saj mbetet që anëtarësia e OIK të ndjejë Odën si shtëpinë e vet dhe të ndjejë benifitet që OIK ofron për komunitetin.

Kryetarja Gori ka folur edhe për debatin publik nëpër të cilin ka kaluar procesi i plotësim ndryshimit të statutit dhe rregulloreve të OIK.
“Të gjitha këto hapësira në statut i kemi përmbushur me standarde të qeverisjes së mirë, që nënkpton transparencë, llogaridhënie, përgjegjësi dhe përfaqësim dinjitoz të interesave profesionale të komunitetit, pastaj kemi plotësuar statutin me mekanizma dhe me procedura të llogaridhënies dhe përgjegjësisë me mundësi të revokimit të anëtarëve të Kuvendit dhe të organeve të zgjedhura në Kuvend”.
Gori tha se llogaridhënies dhe përgjegjësisë sipas Statutit të ri të OIK i nënshtrohen që nga Kryetari dhe të gjitha anëtarët e organeve dhe komisioneve, e deri tek anëtarët e Kuvendit.
Kurse për rregulloret, kryetarja Gori ka thënë se janë një përpjekje për plotësimin e vakumeve ekzistuese dhe të thjeshtëzojë dhe të lehtësojë procedurat e licencimit, rilicencimit dhe të krijojë një lidhje integrale mes këtyre procedurave, duke shmangur byrokracinë dhe zvarritjet.

Profesor Hysni Bajrami, Këshilltar për Çështje Juridike në OIK, është përgjigjur në pyetje, këshilla dhe sygjerime të shumëta të cilat janë parashtruar në diskutim të hapur nga anëtarët e Kuvendit të OIK, para miratimit të Statutit të ri dhe rregulloreve.
Gjitha vërejtjet, sygjerimet janë marrë parasyshë dhe plotësim ndryshimet janë bërë sipas kërkesave dhe sygjerimeve të anëtarëve të Kuvendit.
Profesor Bajrami, ka thënë se ekipet e OIK kanë bërë një punë të jashtëzakonshme për ndryshimin e këtyre akteve.
“Gjitha aktet që kemi diskutuar i kemi në këtë kohë, duke përfshirë këtu edhe aktin më të lartë të Odës që është Statuti, që është Kushtetutë e Odës”, ka thënë profesor Bajrami.
Sipas tij, me ndryshimet, rritet transparenca, përgjegjësia dhe llogaridhënia.

Me statutin e ri të OIK veçanërisht janë rregulluar kriteret për emrimin dhe shkarkimin e kryetarit dhe organeve të OIK-ut, ndërtimi i mekanizmave për mbajtjen e përgjegjësisë së të zgjedhurve në rasport me njësinë zgjedhore që i ka zgjedhur si dhe janë rregulluar mandati dhe përgjegjësia e anëtarëve gjatë ushtrimit të funksionit.

Përveç statutit të OIK, janë miratuar edhe këto rregullore:

  1. Rregullorja e Punës së Kuvendit të OIK
  2. Rregullorja për Regjistrimin (anëtarësimin) e profesionistëve të OIK
  3. Rregullorja për Licencim dhe Rilicencim të profesionistëve të OIK
  4. Rregullorja për Licencim dhe Rilicencim të Psikologëve Klinik

Youtube

Arkiva

Kategoritë