Vajzat që vuajnë nga mbipesha, ose obeziteti në moshat 14-31-vjeçare janë më të prirura për të zhvilluar iktus ishemik para moshës 55-vjeçare, sipas një studimi të publikuar në Stroke.
Me qëllim analizimin e lidhjes ndërmjet peshës në mosha të ndryshme dhe rrezikut për iktus para moshës 55-vjeçare, studiuesit analizuan të dhënat e BMI-ve afatgjata të pjesëmarrësve në Northern Finland Birth Cohort 1966, duke i monitoruar deri në vitin 2020. Ky grup studimi u nis në vitin 1966 për të kuptuar faktorët e lidhur me lindjen e parakohshme dhe vdekshmërinë te gratë. Falë tij, u studiuan më shumë se 12.000 gra në moshë madhore dhe më shumë se 10.000 fëmijë, të dhënat shëndetësore të të cilëve u përdorën në shumë studime kërkimore.
Studimi sugjeron se gratë që ishin mbipeshë në moshën 14-vjeçare, paraqisnin një rrezik më të madh për iktus të shkaktuar nga koagulimet, edhe pse kishin humbur peshë deri në moshën 31 vjeçare. Po në të njëjtën mënyrë, gratë që ishin mbipeshë në moshën 31-vjeçare shfaqën një rrezik të lartë për iktus të shkaktuar nga koagulimet, edhe pse pesha e tyre ishte normale në moshën 14-vjeçare. Në fakt, gratë obeze në moshën 14-vjeçare kishin 87% më shumë probabilitet për zhvillim të hershëm të iktusit të shkaktuar nga koagulimet, ose një mini-iktus, ndërsa ato obeze në moshën 31-vjeçare kishin 167% më shumë probabilitet për zhvillim të iktusit, krahasuar me gratë me peshë normale.
Nga ana tjetër, te meshkujt, rreziku për iktus nuk ndikohej nga mbipesha, por vetëm nga obeziteti.
“Zbulimet tona sugjerojnë se mbipesha mund të ketë efekte afatgjata në shëndet, edhe nëse pesha e tepërt është e përkohshme. Është e rëndësishme të theksojmë se pesha nuk është faktori i vetëm i rrezikut për iktus”, pohon autorja kryesore e studimit Ursula Mikkola. Ekzistojnë edhe shumë faktorë të tjerë përveç peshës që ndikojnë dhe që duhen marrë në konsideratë.
“Rreziku për iktus mund të reduktohet duke ndjekur një stil të shëndetshëm jetese (duke ngrënë më mirë, duke mos pirë duhan, duke fjetur mirë, duke menaxhuar presionin e gjakut, kolesterolin dhe nivelet e glukozës në gjak, duke shmangur përdorimin e tepërt të alkoolit dhe duke mbajtur një fizik aktiv), edhe nëse keni qenë mbipeshë në moshë më të re. Iktusi në moshë të re është i rrallë, kështu që diferenca e vetëm disa goditjeve mund të ketë një ndikim joproporcional në vlerësimet e rrezikut. Gjithashtu, BMI-ja bazohet vetëm në gjatësinë dhe në peshën e një individi, kështu që BMI-ja e lartë mund të jetë një mënyrë përcaktimin e obezitetit, sidomos te individët me muskuj që mund të kenë pak dhjam, pavarësisht peshës së madhe”, thotë Mikkola.
Operatorët shëndetësorë duhet t’i kushtojnë rëndësi mbipeshës dhe obezitetit te të rinjtë dhe të punojnë me ta për të zhvilluar zakone ushqimore më të shëndetshme dhe një aktivitet më të lartë fizik. Megjithatë, është e rëndësishme që bisedat rreth peshës me adoleshentët dhe individët në vitet e para të moshës madhore mos të bëhen në formë gjykimi, apo stigmatizimi”, përfundon autorja.