Një studim i ri italian tregon efektin sinergjik midis efekteve të steroleve bimore në uljen e kolesterolit dhe përbërësit bioaktivë të pranishëm në dietën mesdhetare.
Sëmundjet aterosklerotike kardiovaskulare (ASCVD) përbëjnë ende shkakun kryesor të vdekjeve dhe sëmundshmërisë në shumë pjesë të botës. Hiperkolesterolemia dhe stilet jo të shëndetshme të jetesës janë ndër faktorët kryesorë të rrezikut për këto patologji.
Përmirësimi i zakoneve të ushqyerjes dhe optimizimi i niveleve të kolesterolit lipoproteinik me densitet të ulët (LDL-C), duket se janë mjete efektive për të reduktuar rrezikun e popullsisë në përgjithësi për t’u prekur nga ASCVD. Është treguar vazhdimisht nga metaanalizat, studimet e grupit dhe studimet klinike të randomizuara, se dieta mesdhetare lidhet me ulje të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë kardiovaskulare. Stili i shëndetshëm i jetesës mund të mbështetet më pas nga integrimi i disa përbërësve ushqimorë bioaktivë me efikasitet të provuar te pacientët me hiperkolesterolemi të lehtë, të cilët nuk kërkojnë trajtim me statina. Në lidhje me këtë, një metaanalizë e 13 studimeve klinike të randomizuara, e publikuar nga Farmacista33, arriti në përfundimin se suplementet me sterole bimore janë të sigurta dhe mund të ulin kolesterolin LDL mesatarisht 12.14 mg/dL. Përmirësimet janë më të mëdha në dozimet 2 g/ditë dhe te pacientët me nivele të LDL-C në plazmë >140 mg/dL në fillim.
Efekti shtesë i suplementeve ushqimore me fitosterole tek individët që tashmë ndjekin dietën mesdhetare, nuk është studiuar ende plotësisht, edhe pse ky është modeli ushqimor më i sugjeruar për të reduktuar rrezikun kardiovaskular. Nga këtu nis studimi i DESCO, i kryer nga Universiteti i Bolonjës dhe nga ekspertët e lartë italianë të lëndëve ushqyese. Studimi përfshiu 55 pjesëmarrës të moshave 20-65 vjeç, me nivele mesatarisht të larta të kolesterolit në plazmë dhe me një rrezik kardiovaskular të vlerësuar për 10 vjet prej <5% sipas tabelave të rrezikut SCORE (Vlerësimi sistematik i rrezikut koronar), i cili nuk kërkonte trajtime për uljen e nivelit të yndyrave. Individëve të regjistruar iu kërkua të ndiqnin dietën e tyre të zakonshme për 2 javë para se të bëhej përzgjedhja e tyre dhe gjatë studimit, si dhe të shmangnin konsumimin e suplementeve të tjera ose ushqimeve funksionale që përmbajnë substanca me efekte mbi kolesterolin. Në fillim dhe në ditën e kalimit nga njëra ndërhyrje në tjetrën, pjesëmarrësit morën doza të caktuara të fitosteroleve, ose placebos për të përfunduar një nga dy sekuencat e trajtimit 3-javor. Para dhe pas çdo sekuence, pjesëmarrësit u vlerësuan duke kryer një ekzaminim fizik dhe analiza laboratorike dhe hemodinamike.
Rezultatet tregojnë se suplementet me fitosterole reduktuan dukshëm kolesterolin total dhe kolesterolin LDL krahasuar me grupin placebo dhe se ky reduktim ishte më i theksuar te subjektet që ndoqën me besnikëri dietën mesdhetare. Një shpjegim i mundshëm për këtë vëzhgim mund të lidhet me sasinë më të madhe të polifenoleve të pranishme zakonisht në dietën mesdhetare. Këto përbërje frenojnë lehtësisht sintezën e kolesterolit për shkak të frenimit të reduktazës HMGCoA dhe teorikisht, ato mund të ndikojnë duke shtuar efektet hipokolesterolemike të fitosteroleve, të cilat veprojnë mbi përthithjen intestinale të kolesterolit.
Sigurisht, është jashtëzakonisht e rëndësishme që studime të mëtejshme klinike afatgjata të shqyrtojnë edhe bioshënjuesit për përthithjen intestinale të kolesterolit, në mënyrë që të bëhet një interpretim më i saktë i rezultateve. Në përgjithësi, pasi të dhënat tona të konfirmohen në studime më të mëdha, produkti i testuar mund të përfaqësojë një opsion terapeutik efektiv dhe të sigurt për të përmirësuar kolesteroleminë në popullatë”, përfundojnë autorët.