Pasta e Akullit është një recetë e vjetër e kuzhinës shqiptare e përgatitur dikur në raste të veçanta festash e gëzimesh.
Më së shumti kjo pastë, ishte ndër ëmbëlsirat më të veçanta dhe ndjellëse që ofronin dikur pastiçeritë dhe restorantet e vendit.
Edhe sot, ashtu si dikur ajo është e mrekullueshme me shijen dhe freskinë e saj.
Një ëmbëlsirë perfekte për stinën e verës. E ftohtë dhe e ëmbël, e përgatitur krejt lehtë në shtëpi, fanatastike për t’u kombinuar me fruta të stinës.
Kërko pak kohë për t’u përgatitur por shija e saj mahnitëse padyshim do t’ju tërheqë menjëherë nepsin për ta provuar.
Përgatitja e Pastës së Akullit
Përbërësit
(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)
Për pandispanjën:
- 3 kokrra vezë dhe 1 e bardhë veze
- 5 lugë gjelle sheqer
- 4-5 lugë gjelle miell
Për kremin:
- 3-4 lugë gjelle miell
- 6 lugë gjelle sheqer
- 1 kokërr vezë dhe një e verdhë veze
- 2 gota uji me qumësht
- 2 filxhanë kafeje bajame të grira
- 1 lugë gjelle gjalpë të freskët ose ajkë qumështi
- 2 lugë gjelle kakao
- Pak reçel qershie (mund të përdorni llojin e reçelit që preferoni më shumë)
- Një lugë kafeje vanilje pluhur
- Copëza çokollate (sipas preferencës)
Përgatitja
Si fillim, nisni me përgatitjen e pandispanjës. Rrihni vezët me sheqerin sa të bëhet një masë e fryrë e qendrueshme.
Shtohet mielli dhe përzihet lehtë që të mos bjerë masa e fryrë e brumit.
Hidhet në një tavë ose formë pjekëse ëmbëlsirash të lyer me pak vaj dhe piqet në furrë.
Në një enë tjetër, rrihni vezët me sheqerin, hidhet mielli, qumështi i valuar dhe i ftohur pak, zihet derisa të marrë një valë, hiqet nga zjarri dhe lihet të ftohet duke shtuar vanilje, bajame të grira, kakaon, ajkë ose gjalpë i freskët dhe përzihet mirë derisa masa të bëhet kremoze.
Merret pandispanja e përgatitur, ndahet me kujdes në tre pjesë dhe shtrohet një pjesë në tavë ose në formën e ëmbëlsirës, hidhet një pjesë e kremit dhe shtrohet në të gjithë sipërfaqen e pandispanjës.
Sipër vendoset një petë tjetër pandispanje, të cilës i hidhet sërish një pjesë e kremit të përgatitur dhe më pas vendoset peta tjetër e pandispanjës.
Lyhet me krem, sipër i vendosen kokrra qershie të bëra qershie ose copëza çokollate.
Futet në ngrirje për 2-3 orë në zonën e ngrirjes së frigoriferit dhe më pas shërbehet menjëherë e ftohtë./AgroWeb.org