Ligji për çmimin e produkteve medicinale nuk ka filluar së zbatuari ende në Kosovë. Ai ka hyrë në fuqi në mars të vitit 2023 ndërsa ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë për Ekonomia Online se ky Ligj është në fazën e implementimit.
Vitia ka theksuar se deri më 16 maj do të bëhen paraqitjet e të gjitha çmimeve ashtu siç e parasheh Ligji dhe se janë formuar dy mekanizma të filtrit që mos të abuzohet me çmimin.
“Vitin e kaluar në parlamentin e Republikës së Kosovës ka kaluar Ligji për nivelizimin e çmimit të barnave. Ky Ligj është në fazën e implementimit. Deri më datën 16 maj do të bëhen paraqitjet e të gjitha çmimeve ashtu siç e parasheh ligji por në këtë drejtim, kemi formuar dy mekanizma të filtrit që mos të abuzohet me çmimin. Përveç çmimeve që vijnë nga prodhuesi i kemi edhe çmimet referente nga rajoni dhe me implementimin e këtij ligji që do të ndodh gjatë këtij viti jo vetëm farmacistët që do të jenë të lumtur në këtë drejtim por të gjithë qytetarët e Republikës do të jenë zakonisht të lumtur sepse do ti themi njëherë e mirë stop por në mënyrë ligjore abuzimeve që kanë ndodhur me çmimet e barnave”, ka thënë ministri Vitia për Ekonomia Online.
Ministri Vitia ka thënë se ka pasur raste kur një medikament në vendet tjera ka pasur një shumë të caktuar e te ne është shitur me dyfishin ose trefishin e çmimit e ku shpesh herë, sipas tij, pa të drejtë janë akuzuar farmacistët.
“Ka ndodh një bari që ka kushtuar në vendet e tjera me një shumë të caktuar të ne është shitur me dyfishin ose trefishin ku shpesh herë pa të drejtë janë akuzuar farmacistët për këtë fenomen dhe prandaj në koordinim edhe me ta, në koordinim me gjithë faktorët tjerë është ka bëhet dhe është në fazat finale paraqitja e këtyre çmimeve për tu implementuar. Ky Ligj është jashtëzakonisht i rëndësishëm”, ka thënë Vitia.
Ministri i Shëndetësisë ka thënë se grupet punuese janë duke punuar me intensitet të plotë në këtë drejtim dhe se presin që diku pas gjysmës së dytë të këtij viti të fillojë edhe me implementimi.
“Kemi pasur disa vonesa sa i përket komisionit dhe disa procedurave administrative që kanë zgjatur pak muaj dhe tani me intensitet të plotë grupet punuese janë duke punuar në këtë drejtim. Atë që e thash me datën 16 maj pritet që të publikohen të dorëzohen të gjitha çmimet dhe pastaj do të fillojë në bazë të Ligjit me afate kohore që i ka Ligji afatet e ankesave dhe afatet tjera të cilat presim që diku pas gjysmës së dytë të këtij viti të fillojë edhe me implementimin. Kurse sa i përket qytetarëve janë me qindra mijëra euro që qytetarët e Republikës së Kosovës do t’ i kursejnë për shkak se do të jetë tavani i këtyre çmimeve dhe më nuk mund të luhet më me çmime siç është bërë më herët”, ka thënë Vitia./Ekonomia Online/