Sht, Nën 30, 2024
Banner Top
Banner Top
5 Perimet Kryesore të Prillit -Zgjidhni të Duhurat

Të ushqehemi shëndetshëm, të ushqehemi sipas stinëve dhe të njohim ushqimet që konsumojmë, do të thotë të përfitojmë më shumë prej tyre, në shije dhe vlera.

Guida jonë ju instrukton se si të përzgjidhni perimet më të freskëta në treg dhe ofron këshilla praktike mbi mënyrat më të mira për ruajtjen e tyre.

Brokoli

Brokoli nuk duhet të mungojë në dietën tuaj ushqimore. Koha e rritjes së tij? Fatmirësisht është relativisht e gjatë. Gjysmën e vitit, nga muaji dhjetor, në muajin maj ju mund të zgjidhni mënyra të ndryshme për të gatuar këtë “super ushqim”. Lavdet nuk i ka të kota. Brokoli ka pak kalori dhe është tejet i pasur në vitamina e minerale si dhe shumë fibra.

Përse është i mirë brokoli?

Brokoli përmban vitaminat K, C, acid folik, potasium dhe fibra. Është gjithashtu i pasur në beta-karoten dhe sulforofan, një lëndë e cila po studiohet nga shkencëtarët për vetitë anti-kancerogjene. Vitamina K që brokoli përmban është thelbësore për funksionimin e proteinave që ndikojnë në koagulimin e gjakut. Vitamina C ndikon në krijimin e kolagjenit, lëndës që formon indet trupore, kockat dhe ndihmon në shërimin e shpejtë të të prerave apo plagëve. Brokoli përban edhe fibra, të cilat ndihmojnë sistemin tretës dhe ndikojnë në uljen e sasisë së kolesterolit në gjak. Ndërkohë që acidi folik që brokoli përmban është i nevojshëm për prodhimin e qelizave të reja në trup.

Si ta zgjidhni brokolin?

Zgjidhni brokolin lulet e së cilit janë ngushtësisht të lidhura me njëra tjetrën, pra janë të mbyllura dhe kanë një ngjyrë të gjelbërt në blu. Bëni kujdes të mos zgjidhni brokolin lulet e të cilit kanë ngjyrë të verdhë apo të gjelbërt të hapur. Ndërkohë as brokoli që ështe pjekur më shumë seç duhet nuk duhet përzgjedhur. Do të jetë shumë i fortë për t’u kafshuar dhe do të ndahet në copëza kur ta gatuani.

Si ta ruani?
Brokoli është një perime që prishet shumë shpejt. Për këtë arsye mbështilleni mirë dhe vendoseni në sirtarin e poshtëm të frigoriferit. Përdoreni sa më shpejt të jetë e mundur, nëse dëshironi që brokoli që konsumoni te jetë i freskët dhe i pasur me lëndë ushqyese.

Karrota

Prej Shkurtit deri në Korrik, ja se kur duhet t’i konsumoni karrotat. Kjo perime, që besohet se për herë të parë është kultivuar në Afganistan mijëra vite më parë është thjesht e mirë për të gjithë! Konsumojeni me bollëk, pa u ndier në faj. Është e varfër në kalori, sheqer dhe karbohidrate. Por ama është e pasur në lëndë ushqyese.

Çfarë përmban karrota?

Është e pasur në vitaminë A, vitaminë C, kalcium dhe hekur. Ngjyrën portokalli karrotave ja jep beta-karoteni, që përthithet nga zorrët dhe kthehet në vitaminë A gjatë procesit të tretjes. Karrotat përmbajnë gjithashtu fibra, vitaminë K, potasium, acid folik, magnez, fosfor, vitaminë E dhe zink.

Studime tregojnë se disa karotenoide mund të luftojnë qelizat kancerogjene, falë aftësisë së antioksidantëve për të zvogëluar radikalët e lira në trup. Një tjetër studim ka dalë në përfundimin se duhanpirësit që nuk konsumojnë karrota në dietën e tyre ushqimore rrezikojnë 3 herë më shumë që të preken nga kanceri në mushkëri, krahasuar me ata që konsumojnë karrota të paktën një herë në javë. Në vitin 2011 u publikua një studim që shkruante se karrota vriste qelizat e leucemisë dhe ndalonte rritjen e mëtejshme të tyre.

Si t’i zgjedhim karrotat?

Mënyra më e mirë për të zgjedhur karrota të freskëta është duke parë bishtat e tyre. Sa më jeshile të jenë bishtat, aq më të freskëta janë karrotat. Gjithashtu edhe rrënjët e karrotave duhet të kenë ngjyrë të fortë dhe nuk duhet të jenë të thata e me vijëzime. Çarjet në lëkurën e karrotës tregojnë që ato janë të vjetra.

Si t’i ruajmë karrotat?

Karrotat duhet të mbështillen dhe të vendosen në sirtarin e poshtëm të frigoriferit. Duhet të kujdesemi që t’u presim gjithmonë bishtat që ndodhen në pjesën e sipërme të tyre, pasi kjo pjesë thith gjithë lagështirën nga rrënjët dhe bën që karrotat të prishen më shpejt.

Lulelakra

Lulelakra prodhohet prej muajit dhjetor deri në muajin maj. Gjatë kësaj periudhe mund të konsumoni lulelakër të freskët, në sasi të moderuara, pasi vlerat ushqyese të saj janë shumta. Por mos e teproni, pasi konsumi në sasi shumë të mëdha, shkakton fryrje të barkut.

Çfarë përmban lulelakra?

Sipas databazës kombëtare të ushqimit të Departamentit për Bujqësinë të SHBA lulelakra është e pasur në vitaminë C, K, B-6 dhe acid folik. Ajo përmban gjithashtu kalcium, hekur, magnez, fosfor dhe një sërë vitaminash të tjera të dobishme për organizmin.Lulelakra përmban antioksidantë që parandalojnë mutacionet e qelizave dhe ulin stresin oksidativ që formohet nga radikalet e lira. Pra konsumi i lulelakrës ul mundësinë e shfaqjes së qelizave kancerogjene.

Studime tregojnë se lulelakra ul rrezikun e shfaqjes së kancerit të gjirit, apo formave të tjera tëkancerit si tek femrat ashtu edhe tek meshkujt. Lulelakra është e pasur në fibra dhe ujë. Për këtë arsye ajo lufton sëmundjet e lidhura me aparatin tretës. Ajo ndihmon dhe në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit dhe obezitetit. Një tjetër përbërës i lulelakrës, kolina, ndihmon në forcimin e memorjes, të muskujve si dhe ndihmon me problemet e gjumit.

Youtube

Arkiva

Kategoritë