Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
14 Mars – Zgjohen Zanat e Pranverës

Në lashtësi, sipas Kalendarit Julian, marsi ishte muaji i parë i vitit.

Në Evropë, kalendari Julian u zbatua derisa në vend të tij u vendos Kalendari Gregorian në vitin 1582.

Por, në gjuhën e sotme shqipe ruhen ende gjurmë të kalendarit Julian.

Pra, nëse viti kalendarik fillon me marsin, ka kuptim që muaji i shtatë të jetë shtatori, i teti tetori, i nënti nëntori dhe i dhjeti dhjetori.

Edhe muajt e tjerë kanë lidhje me bujqësinë. Qershori është muaji i Qershive dhe Korriku, muaji i korrjeve. Ishte koha kur stinët ishin më të dallueshme.

“Dita e Verës është dita në të cilën stërgjyshërit tanë, kur s’kish lindur krishtërimi, kremtonin bashkë me romakët dhe grekërit e vjetër, në nderim të perëndive të luleve, të shelgjeve.

Kur shkrin dimri, kur qaset vera e buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Botticellit. Dhe ashtu leu festa hiroshe që e quajnë Dita e Verës…”

Ky është në fakt përkufizimi poetik i Faik Konicës për Ditën e Verës.

Nga pikëpamja historike, Dita e Verës është shumë e hershme, me origjinë të lashtë pagane.

Ajo ishte një festë mbarëshqiptare, që kremtohej si në Veri edhe në Jug, por me nuanca të ndryshme, sipas krahinave.

Ka të bëjë me ringjalljen; me ringjalljen pranverore të natyrës në raport me dimrin, në nderim të natyrës së bukur shqiptare dhe bimësisë që merr jetë.

Thuhet se ajo është festë arbëreshe e trashëguar në veçanti nga qytetarët e VALM-it Elbasanit (Skampa e lashtë) dhe festohet më 14 mars.

Më 13 mars njerëzit marrin një tufë të vogël bari të njomë bashkë me rrënjët dhe dheun, që ta kenë në mëngjesin e datës 14 mars në shtëpi.

Ky zakon i lashtë ruhet dhe festohet jo vetëm në Elbasan, po edhe në Dibër, Strugë e Prespë.

Pse në Elbasan?

Rezulton se Dita e Verës është kremtuar në mbarë viset shqiptare.

Por Elbasani, ende shumë ndryshe nga pjesa tjetër e Shqipërisë, është vendi ku Dita e Verës ndihet dhe përjetohet në kuptimin më të plotë të fjalës.

Zanafillën “Dita e Verës” e ka në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës.

Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e saj ditën e 14 marsit. E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore, është një ditë, e cila sot identifikon edhe vetë qytetin e Elbasanit.

Kushdo që do të kalojë këto ditë pranë Elbasanit do të ndjejë aromën ndjellëse të ballakumeve.

Ballakumet janë ëmbëlsira tradicionale e kësaj feste. Në Elbasan gatuhen vetëm në këtë ditë.

Kjo i bën ato edhe më të veçanta. Janë ëmbëlsirat që gatuhen me miell misri të situr mirë, gjalpë bio dhe sheqer të imët.

“Verore” quhet byzylyku prej fijesh të bardhë dhe të kuqe që lidhet në kyçin e dorës dhe zgjidhet kur të shihet dallëndyshja e parë.

Në disa krahina, veroret varen në degë pemësh, kryesisht dafinash, që dallëndyshet t’i marrin e të sjellin mbarësi.

Dita e verës, si festohet në qytete të ndryshme?

Fëmijët e Tropojës kanë zgjimin më të bukur në Ditën e Verës. Ata zgjohen mes lulesh, gjethesh e fijesh bari, të vendosura mbi jastëkë nga nënat e tyre herët në mëngjes.

Më pas, fëmijët gjatë gjithë ditës këpusin dëllinja dhe i bashkojnë ato në një vend në formën e mullarit.

Dëllinjave u vihet flaka në mbrëmje dhe fëmijët këndojnë dhe vallëzojnë rreth flakëve të larta.

Për shkak të klimës paksa më të ftohtë, në Tropojë dita e Verës festohet në fund të Marsit – fillim Prilli (zakonisht data 6 prill).

Edhe në Dibër fëmijët ndezin zjarre në mbrëmje. Por një tjetër karakteristikë e veçantë është se njerëzit atje zgjohen herët “për të mbyllur dyert”, një rit pagan ky i festimeve.

Në Skrapar gatimi i Ditës së Verës është lakror me hithra. Qyteti i Pogradecit e feston këtë ditë më vezë të ziera të lyera në të kuqe.

Fëmijët ndezin zjarre dhe vejnë në duar “veroret”. Në Korçë festohet nga disa në 1 Mars e nga të tjerë në 14 Mars. Përgjithësisht datat ndryshojnë sipas besimeve fetare.

Kosovë “Dita e Verëzës”

Në Kosovë, pjesë e festimeve janë daljet e të rinjve e të rejave në sheshe fshatrash, në bjeshkë, mbledhja e luleve të para.

Vallëzimi e kënga, ndezja e zjarreve dhe gatimet speciale me miell misri e gruri, të cilat kanë ngjashmëri, por nuk janë si ballokumet e Elbasanit.

Dita e Verës përfshin festime të të dy kulteve tona të vjetra, të Diellit dhe të Gjarpërit.

Ndizen flakadane në majat e maleve dhe të kodrave, në shumë krahina bëhen zjarret e kashtës, thuren e jepen veroret, shëtitet në natyrë, mblidhen familjet e fiset.

Është ditë begatie. Zgjohen Zotat e Bimësisë./AgroWeb.org

Youtube

Arkiva

Kategoritë