Të gjitha vlerat e Aloe Verës duhet t’ju frymëzojnë që të mësoni të rrisni këtë bimë në shtëpinë tuaj. Bima ka nevojë për pak përkujdesje, pak ujë dhe lulëzon vetë.
Çfarë ju nevojitet?
Një vazo prej balte – Dhe’ për të mbushur gjysmën e vazos dhe pleh për gjysmën tjetër – Zhavorr për t’u vendosur në fund të vazos që të qëndrojë e thatë – Një pjesë bime aloe vera që dëshiron të mbjellësh. Bima e Aloe Verës gjendet në pjesën më të madhe të pikave të tregtimit të luleve dhe do ta keni të lehtë të merrni një fletë të kësaj bime.
Si rritet bima e Aloe Verës?
Vendoseni zhavorrin në fund të vazos dhe mbusheni gjysmën e vazos me dhe’ normal dhe gjysmën tjetër me pleh. Mos përdorni kurrë rërë sepse kripa e tepërt nuk i bën mirë bimës.
Vendoseni copëzën e aloe verës që keni zgjedhur në zemër të vazos dhe mbulojeni me dhe’ deri në fillim të gjetheve.
Aloe Vera normalisht lëshon rrënjë të forta që e mbajnë në një vend. Kur e vendosni në vazo, është mirë të mos e ujisni për dy javë.
Rrënjët do të rriten gjatë gjithë kësaj kohe. Pas dy javësh mund t’i jepni bimës nga pak ujë.
Aloe Vera ka nevojë për diell dhe dritë. Ndaj është mirë të vendosni vazon në një vend të ndriçuar mirë. Bima nuk ka nevojë për shumë ujë.
Duhet ta ujisni çdo dy javë dhe do ta shihni sa mirë do të rritet. Me kalimin e kohës do të vini re çeljen e bimëve më të vogla përreth.
Sapo të arrijnë gjatësinë e katër gishtave (gjysma e një pëllëmbe) mund t’i këpusni dhe t’i mbillni në vazo të reja për akoma më shumë bimë të reja.
Siç mund ta shikoni është shumë e lehtë të rrisësh këtë bimë magjike në shtëpinë tuaj. Rritet shpejt dhe nuk ka nevojë për shumë përkujdesje.
Gjethet janë të mëdha dhe të trasha e mund të përdoren për të gjitha nevojat tuaja.
Aloe Vera është një burim i pasur i vitaminave A, C, E, B1, B2, B3, B6 dhe acidit folik.
Aloe Vera përmban 20 nga 22 amino-acidet thelbësore, për të cilat ka nevojë trupi dhe që shërbejnë për të luftuar bakteret dhe viruset.
Aloe Vera largon toksinat nga stomaku, veshkat, shpretka, fshikëza, mëlçia dhe zorra e trashë. Ajo ndihmon me tretjen, ulcerën dhe inflamacionin në stomak. Aloe Vera fuqizon sistemin tretës dhe ndihmon me problemet e kockave.
Si mund të konsumohet Aloe Vera?
Aloe Vera mund të përgatitet në mënyra të shumta. Ekspertët thonë që preferencat e njerëzve variojnë duke qenë se shija e saj është e hidhur.
Aloe Vera qërohet, shtypet me një lugë ose pirun dhe hahet. Megjithatë ekzistojnë metoda të tjera që synojnë të minimizojnë shijen e hidhur të bimës.
Disa e vendosin atë në ujë dhe më pas e pijnë ujin të nesërmen. Disa të tjerë e shtrydhin së bashku me lëngun e portokallit apo të qitros.
Ka të tjerë që përziejnë mjaltin me ekstraktin e Aloe Verës. Ekspertët sugjerojnë që mos të përdoret lëkura e bimës sepse nuk ka vlera shëndetësore dhe mbi të gjitha sjell probleme në tretje./AgroWeb.org