Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, këshilltari i lartë politik në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Muhedin Nushi, kanë marrë pjesë në ceremoninë ndarjes së Diplomave për 180 studentë të nivelit të V-të të kualifikimit “Asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta arsimore”. Zhvillimi i këtij kualifikimi është mbështetur nga MASHTI për të siguruar një trajtim të barabartë dhe për të ofruar arsim dhe aftësim profesional gjithëpërfshirës.
Kryeministri Albin Kurti me këtë rast ka thënë se, nuk ka mënyrë më të mirë për të ndërtuar të ardhmen bashkë se sa duke u përgatitur me profesionistë të kualifikuar, e të specializuar, që më pas përgatisin të tjerët për marrjen e aftësive të reja.
Kryeministri Kurti tutje theksoi se, disa kualifikime kërkojnë vëmendje të posaçme dhe kujdes të veçantë, sepse mbështesin individët me nevoja të veçanta arsimore, për të cilët kujdesi institucional është i pa diskutueshëm dhe i vazhdueshëm.
Deri më tani kemi 409 asistentë të certifikuar, ndërsa në periudhën 2021\2023 janë punësuar 250, ndërsa 500 të tjerë janë planifikuar të punësohen.
Këshilltari Nushi në emër të ministres Nagavci falënderoi dhe përgëzoi përfundimin e gjeneratës V-të për Asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta arsimore, ndërsa tha se, këta asistentë sot zyrtarisht marrin një detyrë e cila pa dyshim është e admirueshme, detyrë kjo që është e kombinuar të mësuesit dhe të ndihmësit. ku gama e punës është e larmishme dhe shumë komplekse.
Nushi tha se kjo gjeneratë është e para që arrin një nivel të kualifikimit nën ombrellën e Ministrisë së Arsimit, që është sukses i veçantë në llojin e vet, por kujdesi për fëmijët që kanë nevoja ndryshe kërkon politika e veprime të bazuara në studime shkencore, kërkon përpjekje të shtuara, si dhe kushte e staf të specializuar.
Tutje Nushi tha se duke dashur të sigurojmë ofrimin e shërbimeve cilësore, ky proces ka qenë tërë kohën nën monitorim nga një grup i përbërë nga palë të ndryshme, si nga MASHTI ashtu edhe nga Projekti KSV /020 dhe Qendra e Kompetencës në Ferizaj.
Nushi i përgëzoi të gjitha Qendrat për punën e tyre: Qendrën e Kompetencës në Ferizaj, Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë, Qendrën Burimore “Përparimi” në Prishtinë, shkollën “Xhemajl Mustafa” në Prishtinë, shkollat “Lidhja e Prizrenit” dhe “Emin Duraku” në Prizren, dhe Qendrën Burimore në Mitrovicë
AAAPARr bën organizimin dhe zbatimin e këtij kualifikimi në Kosovë ku standardi i profesionit është zhvilluar nga ekspertët vendor ndërsa zhvillimi i kurrikulës, materialeve mësimore dhe trajnimi i mësimdhënësve janë realizuar nga projekti LuxDev në kuadër të partneritetit publiko-privat me një kompani ndërkombëtare Pearson.
Deri më tani kanë diplomuar pesë gjenerata të studentëve në këtë kualifikim ndërsa gjenerata e gjashtë është duke vijuar kualifikimet.