Studiuesit amerikanë thonë se mund të kenë zbuluar pse disa njerëz kanë dhimbje koke pasi pijnë vetëm një gotë të vogël verë të kuqe, edhe pse ata nuk i mundojnë pijet e tjera alkoolike.
Ekipi i Universitetit të Kalifornisë thotë se kjo është për shkak të një përbërësi në rrushin e kuq që mund të prishë mënyrën se si trupi metabolizon alkoolin.
Komponimi është një antioksidant ose flavanol i quajtur kuercetin. Lloji i rrushit kabernet nga Lugina Napa përmban nivele të larta të tij, thonë ata.
Rrush me cilësi të lartë
Rrushi i kuq prodhon më shumë kuercetinë kur janë të ekspozuar ndaj diellit.
Dhe kjo do të thotë se verërat e kuqe më të shtrenjta do të ishin më keq për njerëzit me dhimbje koke, tha një nga studiuesit, profesori Andreë Ëaterhouse, për BBC Neës.
“Variantet e lira të rrushit rriten në hardhi me tenda shumë të mëdha dhe me shumë gjethe, kështu që ato nuk marrin aq shumë diell,” tha ai. “Ndërsa rrushi i cilësisë së lartë është nga kulturat më të vogla me më pak gjethe.
“Sasia e diellit menaxhohet me kujdes për të përmirësuar cilësinë e verës.” Megjithatë, të tjerët janë skeptikë.
Fajtori i mundshëm
Janë paraqitur disa teori për të shpjeguar dhimbjet e kokës nga vera e kuqe, të cilat mund t’iu prekin brenda 30 minutave pas pirjes së sasive të vogla.
Disa kanë sugjeruar se shkaku mund të jenë sulfitet – konservues për të zgjatur afatin e ruajtjes dhe për të mbajtur verën të freskët.
Megjithatë, në përgjithësi, përmbajtja e sulfitit është më e lartë në verërat e bardha të ëmbla sesa të kuqe.
Dhe ndërsa disa njerëz mund të jenë alergjikë ndaj sulfiteve dhe duhet t’i shmangin ato, ka pak prova që ata janë shkaktarë për dhimbjen e kokës.
Një tjetër fajtor i mundshëm është histamina – një përbërës më i zakonshëm në verën e kuqe sesa të bardhën.
Histamina mund të zgjerojë enët e gjakut në trup, gjë që mund të shkaktojë dhimbje koke. Por sërish, prova absolute mungon.
Komponim toksik
Ekspertët e dinë se më shumë se një në tre persona me origjinë nga Azia Lindore janë intolerantë ndaj çdo lloj alkooli – birrës, verës dhe pijeve alkoolike – dhe do të përjetojnë skuqje të fytyrës, dhimbje koke kur pinë.
Kjo është për shkak të një gjeni që ndikon në mënyrën se si funksionon një enzimë metabolizuese e alkoolit e quajtur ALDH2 ose aldehiddehidrogjenaza.
Alkooli shpërbëhet në trup në dy hapa – ai shndërrohet në një përbërës toksik të quajtur acetaldehid, të cilin ALDH2 më pas e shndërron në acetat të padëmshëm, kryesisht uthull.
Nëse kjo nuk mund të ndodhë, acetaldehidi i dëmshëm grumbullohet, duke shkaktuar simptomat.
Dhe studiuesit thonë se një rrugë e ngjashme është e përfshirë në dhimbjen e kokës nga vera e kuqe. Ata treguan në laborator kuercetina mund të bllokojë indirekt veprimin e ALDH2, nëpërmjet një prej metabolitëve të saj.
“Rrini të informuar”
Kuercetina bëhet problematike vetëm kur përzihet me alkool, sipas studiuesve, të cilët kanë publikuar gjetjet në revistën Scientific Reports.
Kuercetina gjendet gjithashtu në shumë fruta dhe perime të tjera – madje është në dispozicion si një shtesë shëndetësore për shkak të vetive të saj të dobishme anti-inflamatore, dhe nuk duket se shkakton dhimbje koke më vete.
Studiuesit ende duhet të provojnë teorinë e tyre te njerëzit dhe thonë se një eksperiment i thjeshtë mund të jetë t’u bëhet vullnetarëve që janë të prirur ndaj dhimbjeve të kokës nga vera e kuqe, atyre mendohet të jepet një suplement kuercetin ose një pilulë bedel, së bashku me një pije standarde vodka.
Bashkautori profesori Morris Levin, një ekspert në neurologji dhe drejtor i Qendrës së Dhimbjes së Kokës në Universitetin e Kalifornisë, San Francisko, tha: “Më në fund jemi në rrugën e duhur drejt shpjegimit të këtij misteri mijëvjeçar. Hapi tjetër është testimi shkencërisht tek njerëzit që zhvillojnë këto dhimbje koke, kështu që qëndroni për t’u informuar”.
Ata shpresojnë t’i fillojnë këto studime pas disa muajsh, shkruan BBC