Elvir Azizi, drejtor i përgjithshëm i SHSKUK-së, dhe Dr. Narqize Arënliu Hoxhaj, drejtoreshë ekzekutive e Spitalit të Përgjithshëm “Dr. Daut Mustafa” në Prizren, sot kanë përuruar hapësirat e rinovuara të Lavatores së Spitalit të Përgjithshëm “Dr. Daut Mustafa” në Prizren
Dr. Narqize Arënliu Hoxhaj, drejtoreshë ekzekutive, ka falënderuar drejtorin e SHSKUK-së për mbështetjen në realizimin e këtij projekti, si dhe menaxhmentin dhe të gjithë akterëve që kanë punuar në realizimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm.
”Falënderoj drejtorin e SHSKUK-së për mbështetjen e realizimit të këtij projekti, por edhe projekteve tjera në spital. Renovimi i Lavatores ishte një nga projektet e identifikuara në fillim të marrjes së mandatit, sepse kur e kam vizituar për herë të parë, pashë se kushtet e punës ishin jo të mira dhe pajisjet ishin shumë të vjetra dhe me defekte të shpeshta”, tha drejtoresha e spitalit.
Elvir Azizi, drejtor i përgjithshëm i SHSKUK-së, ka përgëzuar drejtoreshën dhe menaxhmentin e spitalit të Prizrenit në realizimin e këtij projekti, duke premtuar përkrahje edhe të projekteve tjera, që do të jenë në të mirë të qytetarëve në marrjen e shërbimeve shëndetësore.
“Jemi të përkushtuar dhe do të përkrahim projektet dhe investimet në SHSKUK me të gjitha njësitë përbërëse, me qëllim të krijimit të kushteve sa më të mira për punë, ngritjen e cilësisë së shërbimeve dhe besueshmërinë e qytetarëve për marrjen e shërbimeve shëndetësore. Ne si SHSKUK e kemi përkrahur edhe këtë projekt, që do të jetë në shërbim dhe ngritjen e cilësisë në spitalin e Prizrenit”, tha drejtori Azizi.
Projekti ka kushtuar mbi 250 mijë euro, ku përfshihen renovimi i tërësishëm i objektit, furnizimi me makina të larjes, makina terëse, hekurosje dhe inventar përcjellës.