Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Leukemia: Shenjat që tregojnë praninë dhe trajtimi i duhur

Leucemia është një kancer i qelizave të gjakut, e cila e merr zanafillën e saj në palcën e kockës e cila gjendet brenda kockave të njeriut. Duhet të kemi parasysh se është pikërisht palca jonë e kockave vendi ku prodhohen qelizat përbërëse të gjakut te njeriu.

Qelizat e gjakut ndahen në: leukocitet (rruazat e bardha të gjakut), të cilat shërbejnë për të mbrojtur organizmin tonë nga infeksionet, eritrocitet (rruazat e kuqe të gjakut), të cilat mbartin dhe dërgojnë në çdo qelizë të trupit tonë oksigjenin dhe largojnë dioksidin e karbonit dhe trombocitet, që bëjnë të mundur që gjaku ynë të mpikset.

Në palcën e kockës gjenden qelizat totipotenciale që quhen edhe qelizat staminale, nga e cila marrin origjinën të gjitha qelizat e gjakut.

Leucemia ndodh pikërisht kur një qelize staminale hematopoietike pëson “transformim” malinj si pasojë e mutacioneve gjenetike të ndryshme që ndodhin në AND-në e saj, duke u kthyer në një qelizë primitive, të pa diferencuar me një jetëgjatësi jonormale.

Pra, palca e kockës fillon të prodhojë qeliza jonormale, të cilat quhen qeliza leucemike, që nuk funksionojnë normalisht dhe kanë një rritje e zhvillim më të shpejtë se ai i qelizave normale dhe nuk iu binden sinjaleve të frenimit të rritjes. Kjo sjell që në mënyrë graduale këto qeliza të përfshijnë thuajse krejt palcën kockore, duke penguar e frenuar qelizat normale të palcës.

Kjo sjell probleme të mëdha e mjaft pasoja të rëndësishme për shëndetin e jetën e individit, pasi shoqërohet me anemi, hemorragji dhe infeksione të ndryshme. Qelizat leucemike mund të infiltrojnë organe dhe zona të ndryshme të organizmit tonë duke përfshirë mëlçinë, shpretkën, limfonodujt, trurin, veshkat dhe gonadet. Leucemitë ndahen në dy grupe të mëdha duke u mbështetur nga lloji i qelizave që janë prekur: leucemitë me qeliza të linjës mieloide dhe në leucemitë me qeliza të linjës limfoide.

Leucemitë mund të klasifikohen edhe duke u nisur nga shpejtësia me të cilën ato evoluojnë dhe janë akute dhe kronike.
Në vendin tonë incidenca e leucemive varion nga 3 deri 5 raste të reja në 100 mijë banorë. Pra, përafërsisht në vendin tonë kemi afro 400 raste të reja me leucemi në vit, ndërkohë që nga të dhënat statistikore në UK ka afro 9.540 raste të reja në vit dhe në Evropë janë afro 82.300 raste të reja të raportuara në vitin 2012.

Çfarë e shkakton leuceminë?

Ekspertët mbarëbotërorë ende nuk e dinë saktësisht se çfarë e shkakton leuceminë, por mendohet së është një kombinim faktorësh gjenetikë dhe ambientalë. Ka mjaft faktorë që mund të rrisin riskun për të zhvilluar leucemi, si p.sh.: faktori gjenetik, Sindromi Down shoqërohet me një risk të lartë për leucemi.

Po ashtu faktorët ambientalë, kimiopreparatet, rrezatimi, kimikatet e ndryshme në punë, benzeni, pesticidet, e rrisin riskun për leucemi. Është parë se duhan-pirja shton riskun për të zhvilluar leucemi akute mieloblastike. Por nuk përjashtohen edhe rastet me histori familjare për leucemi. Megjithatë duhet të kemi parasysh se ka shumë individë që kanë këta faktorë të riskut dhe nuk zhvillojnë leucemi, sikundër ka edhe pacientë me leucemi që nuk kanë pasur këta faktorë risku.

Cilat janë grupmoshat më të prekura?

Leucemia është shumë e lidhur me moshën me incidencë më të lartë në meshkujt e femrat e moshuara. Afro 50% e leukemive diagnostikohen në pacientë me moshë mbi 70 vjeç. Incidenca specifike lidhur me moshën ulet gradualisht në moshën 0-4 vjeç, duke qëndruar thuajse e pandryshuar deri në moshën e adoleshencës dhe të adultit të ri. Incidenca fillon të rritet menjëherë, duke filluar nga mosha 40-49 vjeç e lart dhe arrin pikun në moshat 80-89 vjeç te meshkujt dhe +90 vjeç te femrat.

Cilat janë shenjat që shfaq leucemia?

Këto mund të shfaqen disa ditë deri në disa javë para se të vendoset diagnoza e leucemisë. Dhe një hematopoiezë e çrregulluar sjell shenjat që hasen më zakonisht dhe që janë anemia, infeksionet e përsëritura dhe hemorragjia apo tendenca e shtuar për gjakosje. Ka edhe shenja të tjera të cilat nuk janë specifike për leucemitë, si p.sh.: zbehja, lodhja, të ndierit i sëmurë, rënia në peshë, takikardia dhe dhimbjet në gjoks, të cilat vijnë zakonisht nga anemia dhe gjendja hipermetabolike që paraqet pacienti.

Pacienti mund të paraqitet me temperaturë, së cilës jo gjithnjë i gjendet shkaku edhe pse granulocitopenia është shkaku i shumë infeksioneve që mund të jenë edhe fatale për jetën e pacientit. Pacienti mund të prezantohet me njolla hemorragjike në lëkurë (petekie, ekimoza), por edhe me epistaksis, gjak nga mishrat e dhëmbëve apo me çrregullime të ciklit menstrual.

Ndërkohë hemorragjia gastrointestinale apo ajo e traktit urinar është e pazakontë. Infiltrimi i palcës kockore me qelizat leucemike sjell dhimbje të fortë, atë të kockave, sidomos të fëmijët dhe veçanërisht tek ata me leukozë akute limfoblastike.

Po ashtu pacientët mund të prezantohen edhe me dhimbje të kokës, të vjella si pasojë e meningjitit leucemik të shkaktuar nga infiltrimi i sistemit nervor qendror me qelizat leucemike. Infiltrimet ekstramedulare me qeliza leucemike mund të sjellin zmadhim të limfonodujve, zmadhim të shpretkës dhe të mëlçisë e madje edhe infiltrim të lëkurës, duke dhënë Leucemia cutis. Hipertrofia gingivale është po ashtu një shfaqje e infiltrimeve ekstramedulare dhe është tipike e leucemisë akute mieloblastike

Kur duhet të drejtohemi te mjeku?

Çdo njeri duhet të adresohet te mjeku i familjes për kontaktin e parë, nëse ai paraqet apo ka vënë re te vetja një gjëndër të rritur në qafë, gjakrrjedhje nga hundët apo nga mishrat e dhëmbëve, ka njolla hemorragjike në lëkurë apo ka një cikël menstrual të zgjatur e të rëndë, kur ka temperaturë të shpeshtë, djersë natën, rënie të papritur të oreksit dhe rënie në peshë, rëndim në anën e majtë të barkut apo kur ndihet i lodhur pa shkak.
Më pas mjeku i familjes e vlerëson situatën në mënyrë korrekte duke i dhënë të bëjë analiza dhe më pas e dërgon te specialisti përkatës që është hematologu.

Si diagnostikohet leucemia ?

Për vënien e diagnozës së leucemisë duhet të realizohet një analizë e plotë dhe e hollësishme e gjakut periferik, e pasuar me ekzaminimin e palcës kockore me anë të mielogramës dhe të biopsisë së palcës kockore. Po ashtu në vënien e diagnozës duhet të bëhen analizat histokimike, citogjenetike, imunofenotipi dhe biologjia molekulare. Pjesë plotësuese janë pastaj imazheria dhe analizat e tjera të laboratorit.

Si trajtohet leucemia?

Leucemia trajtohet me kimioterapi dhe kombinohet me terapi suportive. Qëllimi i trajtimit është që me anë të kimioterapisë të arrihet një remision komplet që përfshin eliminimin e shenjave klinike jonormale, rikthimin e vlerave normale të gjakut dhe një hematopoieze normale me 5% blaste në palcën kockore dhe eliminimin e klonit leucemik.

Por zakonisht natyra komplekse e pacientëve dhe për më tepër të qenit individual të çdo individi, situatat klinike dhe mundësimi me preparatet e duhura sipas protokolleve standarde terapeutike kërkojnë një staf të specializuar dhe kjo është arsyeja pse këta pacientë duhen trajtuar në qendrat hematologjike veçanërisht gjatë fazës së induksionit. Prania e sëmundjeve të tjera e bën trajtimin e leucemisë më të vështirë dhe duke e bërë vendimin terapeutik individual duke gjykuar rast pas rasti dhe hap pas hapi. Normalisht duke u mbështetur në protokollet e kimioterapisë ka sipas situatës edhe modifikim të dozave të preparateve të përdorura.

Kurimi

Kurimi është edhe qëllimi kryesor i trajtimit të leucemisë, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijët e vegjël. Prognozë të keqe kanë zakonisht fëmijët e të moshuarit dhe sidomos ata me disfunksion hepatik apo renal, me prekje të trurit, mielodisplazi, apo me numër të lartë të leukociteve (>25,000/μL). Nëse lihet pa u trajtuar zakonisht ecuria e leucemisë akute shkon nga 3 deri në 6 muaj. Megjithatë prognoza varion shumë nga lloji i leucemisë, nga mosha, kariotipi dhe nga përgjigjja e tij ndaj kimioterapisë.

Youtube

Arkiva

Kategoritë