Sht, Nën 30, 2024
Banner Top
Banner Top
Herpesi i syrit, shkaqet, simptomat dhe trajtimi

Herpesi në sy është një sëmundje infektive që manifestohet me disa forma. Kryesisht prek kapakët e syrit, konjunktivën dhe kornenë. Keratiti herpetik shpeshherë është shenja e parë e sëmundjes dhe vjen si pasojë e prekjes së kornesë nga virusi. Në shenjat e para të sëmundjes mund të përmendim dhimbjen brenda ose rreth syrit, skuqjen dhe uljen e shikimit, temperaturën, dhimbjen e kokës etj.

Stela Ceca, mjeke oftalmologe tregon se pas ekspozimit, virusi zakonisht qëndron “në gjumë” në rrënjën e nervit Trigeminal që inervon pjesë të ndryshme të syve dhe lëkurës. Në disa njerëz ai mbetet inaktiv për gjithë jetën dhe nuk shkakton probleme. Në disa të tjerë ai mund të riaktivizohet si pasojë e rënies së imunitetit, lodhjes, stresit, temperatures së lartë dhe ekspozimit në diell, ndryshimeve hormonale (gjatë shtatzënisë), traumave ose medikamenteve të caktuara.

Çfarë është herpesi?

Herpesi është një infeksion i shkaktuar nga virusi herpes simplex (HSV) ose herpes zoster (HZV). Ka dy lloj virusesh herpes simplex: HSV tipi 1 prek fytyrën, buzët dhe syte, ndërsa HSV tipi 2 prek kryesisht organet gjenitale.

Cilët janë shkaqet e këtij infeksioni?

Kontakti i parë me virusin herpes simplex vjen gjatë fëmijërisë nëpërmjet ajrit ose nëpërmjet lëngjeve trupore si pështyma e një të rrituri. Në kontaktin e parë ai zakonisht nuk jep simptoma ose ato janë shumë të lehta dhe mund të ngatërrohet me një formë gripale si dhimbje të fytit ose të mukozës së gojës. Virus Varicella-zoster (VZV) është virusi që shkakon sëmundjen që në popull njihet si “Lija së dhenve” që prek shpesh fëmijët. Pas kësaj, virusi qëndron në “gjumë” në ganglionet e nervave sensitive deri në një rënie të imunitetit që shkakton riaktivizimin e virusit, dhe shkakton inflamim në pjesë të ndryshme të trupit, syrit dhe fytyrës në rast se preket nervi Trigeminal.

A është ngjitës herpesi i syrit dhe si mund të parandalohet?

Herpesi mund të ngjitet si pasojë e kontaktit me lotët ose vezikulat e personit të prekur nga virusi në ditët e para kur infeksioni është aktiv ose nëpërmjet autokontaminimit. Parandalimi i tij bëhet duke larë menjëherë duart nëse bihem në kontakt me pjesët e infektuara ( sytë, buzët) të personit të prekur nga herpes ose duke evituar të prekim sytë me duar në momentin kur jemi të prekur nga herpes labial.

Me çfarë simptomash shoqërohet?

Dhimbje brenda ose rreth syrit
Temperaturë dhe dhimbje koke e fortë që përhapet në territorin e nervit Trigeminal
Skuqje e syrit dhe ulje të shikimit
Fotofobi (dhimbja e syrit ndaj dritës)
Skuqje, vezikula ose plagë rreth syve, mbi ballin ose tek hunda
Nëse shfaqen këto simptoma dhe më parë keni vuajtur nga herpes labial, duhet patjetër të paraqiteni tek okulisti për të bërë një ekzaminim të detajuar dhe për të marrë trajtimin e menjëhershëm. Mjekimet e marra vetë pa keshillën e mjekut, sidomos ato me përmbajtje kortizoni në fazën aktive të sëmundjes, mund ta thellojnë më tepër infeksionin.
Tek cilat mosha haset më tepër?
Herpes simplex ocular shfaqet më shpesh tek moshat e reja 30-40 vjeç, por edhe në fëmijëri, ndërsa Zoster Oftalmik shfaqet më tepër në moshën e tretë.

Është një infeksion i përkohshëm apo i përhershëm (qëndron në sy)?

Pas ekspozimit, virusi zakonisht qëndron “në gjumë” në rrënjën e nervit Trigeminal që inervon pjesë të ndryshme të syve dhe lëkurës. Në disa njerëz ai mbetet inaktiv për gjithë jetën dhe nuk shkakton probleme. Në disa të tjerë ai mund të riaktivizohet si pasojë e rënies së imunitetit, lodhjes, stresit, temperaturës së lartë dhe ekspozimit në diell, ndryshimeve hormonale ( gjatë shtatzënisë), traumave ose medikamenteve të caktuara. Më të prekur janë njerëzit që kanë sëmundje autoimune ose kronike. Në disa raste, inflamimet herpetike përsëriten shpesh në të njëjtën pjesë të trupit dhe bëhen një problem kronik.

Cilat pjesë të syrit prek kryesisht herpesi?

Herpesi prek kapakët e syrit, konjunktivën dhe kornenë. Keratiti herpetik, shpeshherë është shenja e parë e sëmundjes dhe vjen si pasojë e prekjes së kornesë nga virusi. Zakonisht, virusi prek pjesët sipërfaqësore të kornesë duke formuar një figurë karakteristike si “degë peme”, por ndonjëhere mund të prekë edhe shtresat më të thella të kornesë duke lënë shenja të përhershme që çojnë në ulje të shikimit. Në disa pacientë virusi prek edhe pjesë të tjera të syrit duke shkaktuar uveite ose retinite që janë më të vështira për t’u kuruar.

Nëse kapet në kohë a mund të kurohet plotësisht?

Në pjesën më të madhe të rasteve preket vetëm pjesa sipërfaqësore e kornesë, prandaj nëse infeksioni kapet dhe trajtohet në kohë, ai shërohet brenda pak javësh pa lënë pasoja në shikim. Në rast të kundërt nëse infeksioni ka prekur pjesën më të thellë të kornesë, stromën, kurimi është më i vështirë, më i gjatë dhe me pasoja të rënda në shikim. Në bazë të shkallës së prekjes së syrit nga herpes, okulisti e kuron atë me pomadë antivirale ose edhe me antiviral nga goja.

Gjithsesi virusi nuk arrihet të eliminohet asnjëherë plotësisht nga organizmi dhe në gati 50 % të pacientëve infeksioni përsëritet brenda 10 viteve e në disa prej tyre kthehet në kronik. Në këto raste rekomandohet trajtimi për një kohë të gjatë me antiviral nga goja për të parandaluar efektet negative që sjell ai

Youtube

Arkiva

Kategoritë