Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Hipotiroidizmi, simptomat dhe shkaqet 

Hipotiroidizmi (ulja e funksionit të gjendrës tiroide) ndodh atëherë kur gjendra tiroide nuk prodhon mjaftueshëm hormone. Hipotiroidizmi prek më tepër gratë krahasuar me meshkujt dhe me rritjen e moshës rritet edhe numri i rasteve me hipotiroidizëm, por kjo patologji mund të haset në çdo moshë.

Në fazat e hershme kjo patologji nuk shoqërohet me simptoma të dukshme, por në rast se nuk trajtohet me kalimin e kohës hipotiroidizmi mund të shkaktojë një sërë problemesh shëndetësore të tilla si obezitet, dhimbje kyçesh, infertilitet dhe sëmundje zemre etj.

Simptomat & Shenjat

Gjendra e Tiroides

Shenjat dhe simptomat shoqëruese të hipotiroidizmit variojnë në varësi të nivelit të mungesës së hormonove. Ndër simptomat e para që vihen re janë ndjesia e lodhjes dhe shtimi në peshë, e jo pak herë ndodh që pacientët të mendojnë që janë simptoma të moshës. Duke qenë se hormonet e tiroides marrin pjesë në metabolizëm, hipotirodizmi çon në ngadalësimin e metabolizmit dhe si rrjedhojë në shfaqjen e shenjave dhe simptomave më të dukshme ndër të cilat mund të përmendim:

  • Lodhje
  • Ndjesi të ftohti (kanë shumë ftohtë)
  • Kapsllëk
  • Lëkurë e thatë
  • Shtim në peshë
  • Fryrje në fytyrë
  • Ngjirje e zërit
  • Dobësi muskulare
  • Nivel i lartë i kolesterolit në gjak
  • Flokë të hollë
  • Rrahje të ulëta të zemrës
  • Depresion

Në rast mostrajtimi dhe mosdiagnostikimi në kohë të kësaj patologjie shenjat dhe simptomat shoqëruese vijnë duke u përkeqësuar gradualisht.

Përse shkaktohet hipotiroidizmi?

Në rastet kur tiroidja nuk prodhon mjaftueshëm hormone ndodh një ç’ekuilibrim i reaksioneve kimike në trupin tuaj dhe kjo mund të jetë si rrjedhojë e një sërë shkaqesh përfshirë këtu sëmundjet autoimune, trajtim për hipertiroidizëm, trajtim me rrezatim, kirurgji tiroide apo trajtime me medikamente të caktuara që dëmtojnë funksionin e gjendrës tiroide.

Tiroidja është një gjendër në formë fluture e vendosur në pjesën e përparme të qafës, poshtë mollës së Adamit. Hormonet e prodhuara nga gjendra tiroide – triiodothyronine (T3) dhe thyroxine (T4) – kanë një ndikim të madh në shëndetin tuaj, duke prekur të gjitha aspektet e metabolizmit të organizmit.

Youtube

Arkiva

Kategoritë