Sht, Nën 30, 2024
Banner Top
Banner Top
Shëndeti mendor,  ende tabu e pathyer në Kosovë

Albina Selmanaj

Si muaji i ndërgjegjësimit për shëndetin mendor, maji është koha e duhur për  të rritur ndërgjegjësimin dhe për të reduktuar stigmën rreth çështjeve të shëndetit mendor, si dhe për të theksuar mënyrat se  si sëmundjet mendore mund të ndikojnë te të gjithë ne – pacientët, ofruesit, familjet dhe shoqërinë tonë më  gjerë.

Për të folur më shumë rreth shëndetit mendor  dhe  gjendjes aktuale së kësaj çështjeje në Kosovë, Familjajonë ka intervistuar psikoterapeutin, Yll Avdijaj.

Avdijaj theksoi se përkundër  faktit se çdo ditë e më shumë ka ngritje të vetëdijes dhe përparime në këtë drejtim , prap se prap shoqëria kosovare mbetet e  stigmatizuar në çështjet që kanë të bëjnë me shëndetin mendor.

“Sa i përket vendit tonë, fusha e trajtimit të shëndetit mendor është diçka e re dhe goxha sfiduese në shoqërinë kosovare! Përkundër faktit se çdo ditë e më shumë ka ngritje të verëdijes dhe përparime në këtë drejtim, prap se prap shikuar nga prizmi më i gjerë akoma jemi të stigmatizuar si shoqëri. Vazhdojmë të përballemi me paragjykime të shumëta, dhe kjo aspak nuk po ndihmon në zgjidhjen e problemeve me shëndetin mendor, por vetëm se po e vonon dhe po e vështirëson më shumë! Ashtu siç ne drejtohemi te mjeku i përgjithshëm kur kemi ankesa somatike (fiziko-organike) dhe nuk ndiejm turp apo ndonjë pengesë që të kërkojmë ndihmë, ashtu duhet të jetë edhe me ndihmëkërkimin nga profesionistët e shëndetit mendor”,  u përgjigj Avdijaj.

Tutje, gjatë intervistës psikoterapeuti Avdijaj iu është përgjigjur edhe disa pyetjeve të tjera që janë shumë me rëndësi për shëndetin mendor, duke filluar nga shpjegimi I një problemi të tillë, kujdesi që duhet të kemi nëse përmballemi me çregullim të shëndetit mendor e deri te mënyrat se si mund ta parandalojmë një gjë të tillë.

Përgjigjet  e plota i gjeni më poshtë:

Çfarë është shëndeti mendor?

 Me shëndet mendor nënkuptohet mirëqenia jonë psiko-emocional edhe ajo sociale. Njëkohësisht paraqet mënyrën se si ne mendojmë, ndjejmë dhe veprojmë. Gjithashtu ka të bëj me mënyrën e përcaktimit se si e trajtojmë stresin, si lidhemi me të tjerët dhe se si të bëjmë zgjedhje të shëndetshme në jetën që zhvillojmë. Shëndeti mendor është i rëndësishëm në çdo fazë të jetës, që nga fëmijëria dhe adoleshenca e deri në moshën madhore.

Cilat janë shenjat dhe simptomat e para të një çrregullimi mendor?

Shenjat dhe simptomat zakonisht jane të shumëta dhe të ndryshe, mirëpo ne do të mundohemi që t’i përmendim disa nga to, si psh: ndryshimet në personalitet, ndryshimet në emocione, vetizolimi, mungesa e papritur e kujdesit për veten, ndjenja e mungesës së shpresës ose ndjenja e mbingarkesës së tepërt, mendime negative dhe të mundimshme, mendime të çuditshme që nuk përkojnë me realitetin, mendime dhe shenja paralajmëruese të vetëvrasjes etj.

Cilat janë llojet e çrregullimeve të shëndetit mendor?

Çrregullimet e shëndetit mendor zakonisht përfshijnë një gamë shumë të gjërë, ku dhe si pikë referimi për profesionistët e shëndetit mendor kryesisht përdoret DSM (Manuali diagnostikues dhe statistikor i çrregullimeve mendore). Mund të përmendim disa sosh si: Çrregullimet e ankthit, çrregullimi Bipolar, depresioni, çrregullimet disociative, çrregullimi i deficitit të vëmendjes dhe hiperaktivitetit (ADHD), çrregullimi i stresit post-traumatik, Skizofrenia dhe psikoza të tjera, çrregullimi obsesiv-kompulsiv, çrregullimet e personalitetit, çrregullimet seksuale, çrregullimet në të ushqyerit, çrregullimet e varësive të ndryshme etj.

Cilat janë mënyrat e parandalimit të një çrregullimi të tillë?

Është mjaft sfiduese që t’i përgjigjem kësaj pyetje, nisur nga vet fakti se çrregullimet dhe sëmundjet mendore mund të vijnë nga shkaqe dhe faktor të ndryshëm të cilët mbetën objekt për studim në vazhdimësi. Ajo që mund të them është se, në momentin kur shfaqën simptomatologji apo shenja që lidhën me probleme të shëndetit mendor, dera e parë që duhet trokitur janë profesionistet e shëndetit mendor siç janë: psikiatrit, psikologët klinik dhe psikoterapistët. Varësisht problematikës së shfaqur tek individi apo pacienti, bëhet edhe referimi për trajtimin adekuat dhe përkatës. Pastaj, nga aty ku merret trajtimi, merren edhe sugjerimet dhe rekomandimet se si të ruhet mirëqenja psiko-emocionale e individit.

Youtube

Arkiva

Kategoritë