Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Me moton “Zëre hapin”, fillon Java Botërore e Imunizimit në Kosovë

Në Kosovë ka filluar “Java Botërore e Imunizimit”, me moton “Zëre hapin” (“Catch-up”). Në tryezën e mbajtur në Prishtinë ku të pranishëm ishin përfaqësuesit e OBSH, UNICEF, USAID dhe IKSHPK-së, u theksuan përpjekjet që po bëhen në mbarë botën për të rikuperuar pasojat që ka shkaktuar pandemia COVID-19 dhe angazhimet për ngritjen e shkallës së vaksinimit me vaksinat e programeve të rregullta të imunizimit.

Ministri Dr. Arben Vitia tha se Ministria e Shëndetësisë ka punuar ngushtë me partnerët për fuqizimin e kapaciteteve aktuale të zinxhirit të ftohtë të vaksinimit përmes ngritjes së Depos moderne për ruajtjen e vaksinave, përmirësimin e rrjetit transportues të vaksinave, si dhe zbatimin e vaksinimit plotësues “Catch-up”, me qëllim të mbulueshmërisë sa më të lartë të popullatës së cakut me vaksinim.

“Imunizimi është një nga ndërhyrjet kyçe për mbrojtjen e popullatës nga sëmundjet serioze infektive që rrezikojnë shëndetin, të cilat përmes vaksinimit janë të parandalueshme. Përmes ofrimit falas të vaksinave për popullatën synohet të rritet shkalla e imunizimit, respektivisht arritja e mbulueshmërisë universale të imunizimit”, tha ministri Vitia.

Ai theksoi se Plani i Veprimit për Vaksinim 2022-2025 përmban risi sa i përket përfshirjes së vaksinave të reja në programin e rregullt të vaksinimit, me që në këtë plan janë përfshirë Vaksina HPV (Vaksina kundër Human Papilloma Virusit), Rota Vaksina (Vaksina e Rotavirusit) dhe Pneumokok Vaksina (Vaksina kundër Pneumonisë, Meningjitit dhe Sepsës).

“Përfshirja e këtyre vaksinave në programin e rregullt të vaksinimit pritet të rezultojë me ulje të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë nga sëmundjet si: kanceri i qafës së mitrës; infeksionet me Rotavirus te fëmijët dhe sëmundje të ndryshme që shkaktohen nga tipe të ndryshme të pneumokokut”, tha Ministri Vitia.

Në hapje të Javës Botërore të Imunizimit në sheshin ‘Skënderbeu” në Prishtinë u organizua edhe ekspozita “Historiku i vaksinimin në Kosovë”, ku u prezantua një historik i programit të obligueshëm për imunizim që për herë të parë filloi në vitin 1948 me vaksinën kundër tuberkulozit dhe vazhdoi me me vaksinën kundër difterisë (1950), tetanus (1955), pertussis (1959), polio (1961), fruthi (1971) dhe kështu me radhë, përfshirë edhe vaksinimin kundër COVID-19.

Përditësimi i kalendarit të rregullt të vaksinimit është bërë nëpër vite, ndërkohë që aktualisht në Kosovë kalendari i vaksinimit të rregullt përfshinë 10 sëmundje të parandalueshme me vaksina.

Youtube

Arkiva

Kategoritë