Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
45 studentë nga Kosova fitojnë bursa për master në BE

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, kanë ndarë 45 bursa për studime master për studentët kosovarë. Të njëjtit do të studiojnë në vendet e BE-së dhe pas studimeve do të punësohen për 3 vjet në Administratën Publike.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se përzgjedhja ka qenë shumë konkurruese, teksa tregoi se deri tani 400 studentë e kanë përfunduar këtë program ndër vite.

Ai ka theksuar edhe pjesëmarrjen e madhe të femrave, e cila është më shumë se gjysma e të përzgjedhurve.

“Përzgjedhja është shumë konkurruese, me provime dhe intervista. Presim me padurim kthimin tuaj në Kosovë. Administrata publike ka nevojë për ju. Shpresoj që të gjeni një vend punë me atë që keni studiuar”.

“Mbi 400 studentë kanë përfunduar këtë program ndër vite , 2 /3 janë femra në këtë program. Fuqizimi i femrave do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Falënderoj të gjithë partnerët tanë, ju dëshiroj më të mirat dhe shpresoj që sa më shpejt të ktheheni në Kosovë”, tha ai.

Zëvendëskryeministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, tha se ky është njeri nga projektet më të rëndësishme për Administratën Publike, i cili merret tërësisht me të rinjtë.

“Kënaqësia ime është e veçantë se përpara kam të rinj të përzgjedhur në mënyrë meritore. Kemi të bëjmë me një projekt që ka të bëjë 100% me të rinjtë. Ky është njeri nga projektet më të rëndësishme për Administratën Publike”.

“Bursistët i pret një përvojë e veçantë. Në kuadër të projektit, bursistët do ta kenë mundësinë që të familjarizohen me Administratën Publike para se të shkojnë. Pas kthimit ata do të sistemohen në institucione të ndryshme të vendit në bazë të asaj që ata kanë studiuar”, tha ai.

Ndërsa, ekspert i programit YCS, profesor Nikolas Panagiotou, tha se  studentët e përzgjedhur përfaqësojnë më të mirët nga talentet që ekzistojnë në Kosovë.

“Nga fillimi që kemi pasur këtë projekt kemi pas mundësi të ndërtojmë raporte afatgjate. Personat që janë përzgjedhur, mendoj se përfaqësojnë më të mirët nga talentet që ekzistojnë në Kosovë”.

“Është një projekt shumë i rëndësishëm sepse kështu Evropa tregon angazhimin e saj që ka për Kosovën që të punojë për Administratën Publike. Kjo që kemi arritur brenda kësaj periudhe të shkurtër ka qenë me shumë se një detyrë e vështirë”.

Vesa Bujupaj, njëra nga studentet e përzgjedhura, tha se programi ka dëshmuar vendosmërinë e BE-së karshi Kosovës dhe se e ndjenjë përgjegjësi që t’ia kthejnë më të mirën shoqërisë.

“Ky program bursash na ka ofruar një mundësi të rrallë. Programi ka dëshmuar që është një vendosmëri e BE-së për të ardhmen e Kosovës. Na ka dhënë mundësi që të bëjmë ndryshime në Kosovë. Sot jemi të rrethuar me shumë të rinj me dije brilante. Kam kënaqësinë që do të jem me studentët tonë. Kemi përgjegjësi që tua kthejmë më të mirën shoqërisë sonë”, tha ajo për EO.

Youtube

Arkiva

Kategoritë