Albina Selmanaj
Prediabeti do të thotë që ju keni një nivel më të lartë se normalja e sheqerit në gjak. Nuk është ende aq i lartë sa të konsiderohet diabeti i tipit 2. Por pa ndryshime në stilin e jetesës, të rriturit dhe fëmijët me prediabet janë në rrezik të lartë për të zhvilluar diabetin e tipit 2.
Ngrënia e ushqimeve të shëndetshme, bërja e aktivitetit fizik pjesë e rutinës suaj të përditshme dhe qëndrimi në një peshë të shëndetshme mund të ndihmojnë në kthimin e nivelit të sheqerit në gjak në normalitet.
Për të treguar më shumë rreth kujdesit që duhet të kemi nëse jemi prediabetik, Familjajonë ka intervistuar endokrinologun, Almedin Ramizi.
Ramizi gjatë intervistës shpjegoi disa nga mënyrat e zbulimit të kësaj sëmundje, dhe përmendi edhe simptomat kryesore të prediabetit. Tutje, Ramizi tregoi edhe për grupet e njerëzve që janë më së shumti të rrezikuar nga prediabeti dhe për sfidat me të cilat mund të përballen ata. Ndër të tjera, ai tregoi edhe për mundësitë e zhvillimit të diabetit te personat që veç se vuajnë nga prediabeti.
Intervista e plotë:
Si ta zbulojmë nëse kemi prediabet?
Prediabeti është një pararendës para diagnozës së diabetit mellitus. Të rriturit me prediabet shpesh mund të mos shfaqin shenja ose simptoma të diabetit, por do të kenë nivele të sheqerit në gjak më të larta se normalja. Në pacientët me prediabet niveli i glukozës në gjak është midis 5.7mmol/l (110 mg/dL) dhe 6.6mmol/l (125 mg/dL). Pasi të diagnostikohen me prediabet, pacientët duhet të kontrollohen për përparim në diabet mellit të tipit 2 çdo një deri në tri vjet.
Cilët persona janë me më së shumti predispozicion të vuajnë nga prediabeti?
Faktorët të cilët e vënë pacientin në rrezik më të madhë janë:
*Mbipesha ose obeziteti (veçanërisht një indeks i masës trupore (BMI) më i madh se 25 kg/m^2)
*Historia familjare e diabetit mellitus
*Diabeti gjatë shtatzënisë (diabeti gestacional)
*Hipertensioni
*Inaktiviteti fizik
*Dislipidemia (niveli i lartë i yndyrnave)
*Sindromi i vezoreve policistike (PCOS)
A janë të gjithë personat me prediabet njëjtë të rrezikuar që të zhvillojnë diabet?
Jo, te pacientët te të cilët ekziston rrezik i lartë mundësia është më e madhe që të zhvillohet diabeti mellitus. Pacientët me rrezik të lartë konsiderohen ata që kanë histori familjare të diabetit mellit dhe ata me mbipeshë ose obezitet. Në pacientët me rrezik të lartë, duhet të fillohet ekzaminimi më herët dhe ky ekzaminim të bëhet më shpesh.
Cilat janë disa nga simptomat e prediabetit?
Shumica e pacientëve me prediabet nuk përjetojnë asnjë simptomë dhe për këtë arsye nevojitet monitorimi i duhur, veçanërisht te individët me histori familjare. Në pakicën e pacientëve që përjetojnë simptoma, ato mund të jenë si më poshtë:
*Rritja e oreksit
*Humbje/shtim peshe e pashpjegueshme
*BMI e lartë
*Dobësi
*Lodhja
*Djersitje
*Shikim i turbullt
*Shërimi i ngadalshëm i prerjeve ose mavijosjeve
*Infeksione të përsëritura të lëkurës/gjakderdhje të mishrave të dhëmbëve
Cili është rreziku më i madh që mund të na shkaktohet nga prediabeti dhe a mund ta parandalojmë prediabetin?
Përveç diabetit të tipit 2, prediabeti është një faktor rreziku për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe sulmit në tru.
Ekzaminimi duhet të fillojë midis moshës 30 dhe 45 vjeç dhe të përsëritet të paktën çdo 3 vjet.
Menaxhimi më i rëndësishëm i prediabetit është ndryshimi i stilit të jetesës dhe humbjes intensive të peshës. Ulja e peshës përmes një diete me pak yndyrë dhe një regjimi ushtrimesh prej rreth 30 minutash në ditë është qëllimi i përgjithshëm i menaxhimit.
Përafërsisht 70% e njerëzve me prediabet do të diagnostikohen me diabet mellitus. Megjithatë, kjo nuk është e pashmangshme. Prediabeti i menaxhuar siç duhet mund të parandalojë diabetin mellitus dhe të ulë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.
Disa pacientë do të kenë nevojë të marrin disa ilaçe. Këtu përfhsihen ata pacient që nuk kanë arritur të ndryshojnë stilin e jetës ose janë në rrezik të lartë për zhvillimin e diabetit të tipit 2.