Dy qytetarë kanë mbetur të lënduar nga aksidenti tragjik sonte në hyrje të Shtimes, ku vdiqën katër persona.
Personat e lënduar janë burrë dhe grua, të cilët janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Nga QKUK kanë thënë se gruaja e lënduar është në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa burime brenda Qendrës kanë konfirmuar që ajo është shtatzënë.
“Një grua e datëlindjes 1996, është në gjendje të rëndë, ekipet mjekësore emergjente po bëjnë maksimumin, kurse personi tjetër që po merr trajtim ka lëndime më të lehta”- kanë thënë nga QKUK për KALLXO.com
Prokurori Besnik Nuredini, i cili ndodhet në vendin e ngjarjes, ka dhënë detaje në lidhje me rastin.
Ai tha se katër viktimat janë të gjinisë mashkullore dhe dyshohet se të katërt kanë qenë në veturën e njëjtë. Prokurori tha se për tre viktimat vdekja është konstatuar në vendin e ngjarjes ndërsa viktima e katërt ka vdekur në Emergjencë në Ferizaj.