Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Shoqëria civile kërkon anulimin e konkursit për drejtor të FSSH-së

Shoqëria civile në Kosovë ka kërkuar që të anulohet konkursi për drejtorin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore të Kosovës. Në një prononcim për Radio Kosovën ata kanë thënë së në konkurs ka shkelje të parimeve. Ndërsa lidhur me këto shkelje ka reaguar edhe Ambasada e Britanisë në Kosovë duke thënë se janë të shqetësuar me situatën e emërimeve të larta në ndërmarrjet publike.

Konkursi i hapur për drejtorin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, është kërkuar të anulohet nga organizatat e shoqërisë civile ne Kosovë. Ema Pula, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, e cila ka monitoruar konkursin për drejtor të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore në Kosovë, tha për Radio Kosovën se kanë gjetur parregullsi në konkurs.

Sipas saj, konkursi i ka dy problematika që lidhen me shkollimin e kërkuar dhe përvojën e punës e të cilat bien ndesh me Ligjin për zyrtarët publikë dhe rregulloret për klasifikimin e vendeve të punës në shërbimin civil. Ajo shpjegon se konkursi në fjalë, ka vendosur shkollimin me një diplome universitare 3 vjeçare, ndërsa me rregullore përcaktohet që të këtë katër vite shkollimin bachellor.

“Shkelja më serioze në këtë konkurs përveç shkollimit, është edhe ajo e përvojës së punës ku sipas konkursit, janë kërkuar 5 vite përvojë pune dhe së paku 3 vite përvojë punë menaxheriale. Ndërsa rregullorja përcakton që kandidati duhet të ketë se paku 8 vite përvojë pune dhe se paku 5 vite përvojë pune në pozita menaxhuese. Dmth, kanë zbrit edhe kriterin e përvojës së punës këto janë shkelje serioze të cilat e cenojnë parimin e meritokracisë”, deklaroi ajo.

Edhe nga Instituti për Politika Zhvillimore, kërkojnë anulimin e  konkursit për drejtorin e Fondit të Sigurimeve. Laura Nushi nga kjo organizatë tha për Radio Kosovën se nuk do të lejojnë emërimin e asnjë drejtori në këtë pozitë pa i plotësuar kriteret e konkursit.

“Në pozitën e drejtorit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore në Kosovë nuk do të emërohet asnjë drejtor i ri pa i plotësuar kriteret e kërkuara. Edhe pas reagimit publik, nëse fondi nuk merr parasysh vërejtjet tona ne do të vazhdojmë tutje dhe do ta paraqesim këtë problem edhe në ambasadën britanike”, deklaroi Nushi.

Shqetësim për këtë konkurs dhe për emërimet e larta në ndërmarrjet publike qendrore e lokale ka shprehur edhe Ambasada e Britanisë në Kosovë. Ata presin nga Qeveria që në nivel qendror dhe lokal, të rikonfirmojë përkushtimin e tyre ndaj emërimeve të cilat e mbajnë politikën jashtë institucioneve publike.

Youtube

Arkiva

Kategoritë