Anemia është një nga problemet më të shpeshta shëndetësore që e takojmë tek fëmijët. Nënkupton uljen e numrit të eritrociteve dhe hemoglobinës në gjak dhe kështu nuk mund të sigurohet sasia e mjaftueshme e oksigjenit në tru, zemër dhe muskuj.
Më së shpeshti ndodh për shkak të humbjeve të padukshme të gjakut ose krijimit të zvogëluar të eritrociteve për shkak të mungeses së hekurit, vitaminës B12 ose acidit folik. Më rrallë anemia është e shkaktuar nga shkatërrimi i tyre për shkak të formave jo normale.
Rreth 80 deri në 90% të anemive janë nga pamjaftueshmëria e hekurit në organizëm. Çdo i treti fëmijë i moshës 12 deri 24 muaj ka një anemi të tillë, e kjo për shkak të konsumimit të ushqimeve të varfëra me hekur, konsumimi i sasive të mëdha të qumshtit, ëmbelsirave dhe lëngjeve.
Diagnoza vendoset me analizën rutinore të hemogramit, që duhet të bëhet së paku në muajin e 6 të jetës. Rezultati tregon vlera të zvogëluara të Er, HGB, HCT, MCV për dy devijacione standarde nën vlerën e poshtme referente. Vlerat e hekurit në gjak nuk ka nevojë të përcaktohen sepse nuk është tregues i mirë i anemisë për shkak se ka oscilime ditore dhe shpesh është i ulur gjatë infeksioneve.
Fëmiu është i zbehtë, i shqetësuar ose më pak aktiv, ka infeksione të shpeshta, kanë më pak apetit, lodhen më shpejt dhe djersiten mjaft. Fëmijët më të rritur ankohen në kokëdhimbje, marramendje, koncentrim të dobët e ndonjëherë edhe dhimbje gjoksi. Ngjyra e lekurës nuk është tregues i anemisë sepse ngjyra varet nga pigmenti, trashësia dhe vaskularizimi i lëkurës.
Parandalimi i anemisë duhet të filloj qysh prenatal, kur nëna duhet të marr preparate të hekurit. Fëmijët e lindur parakohe, binjakët dhe fëmijët me disa sëmundje specifike marrin preparate të hekurit në doza preventive.
Qumështi i nënës ofron përthithshmëri deri në 50% të hekurit, ndërsa përthithshmëria e hekurit nga formula është vetëm 10%. Më së paku ka në qumështin e lopës.
Ushqimet e pasura me hekur janë: mishi i kuq, vezët, perimet e gjelbërta, arrorret, kakao. Duhet konsumuar pemë dhe perime të pasura me vitamin C që përshpejtojnë absorbimin e hekurit.
Trajtimi bëhet me preparate të hekurit dyvalent dhe vitaminën C. Sot kemi preparate të hekurit liposomal i cili mirret pavarësisht nga koha e racioneve ushqimore dhe nuk japin probleme gastrike. Terapia zgjat 3 muaj ose edhe 1 muaj pas normalizimit të pasqyres së gjakut.
United Hospital Prishtina
Kontakt: 038 60 70 70/ 046 60 70 70
Info@united-hospital.com / www.united-hospital.com
Magjistralja Prishtinë-Ferizaj M2 10500 Km7 Prishtinë, Kosova