Virozat dhe gripi ka shtuar fluksin e qytetarëve në të gjitha ambientet spitalore të vendit. Më të prekurit janë fëmijët, mosha e tretë dhe të sëmurët kronikë, ndërsa thirrja e mjekëve shkon për vaksinimin.
Ulur në karrika duke pritur radhën e të tjerë që vijnë pa pushim. Kjo është situata në qendrën shëndetësore numër 10 në kryeqytet. Më së shumti janë qytetarë që kërkojnë ndihmë për gripin dhe virozat e stinës, fluks i cili është rritur ndjeshëm ditët e fundit.
“Afërsisht 200 pacientë në ditë për të gjithë qendrën shëndetësore. Kryesisht me temperaturë mbi 38 gradë celsius, kollë, dhimbje të fytit, anoreksi. Nëse simptomat vijojnë të zgjasin duhet që të paraqiten pranë mjekut të familjes sepse mund të shkojnë në komplikacione me prekje të sistemit respirator”, tha mjekja kujdestare Xh. S.
Mjekja e familjes Sogojeva thotë se më të prekurit janë fëmijët, të moshuarit, të sëmurët kronikë e të pavaksinuarit. Ndaj bën thirrje për kujdes të shtuar e vaksinim.
“Më së shumti pacientët që paraqiten, janë mosha e tretë, të sëmurët kronik dhe kryesisht ata që nuk janë vaksinuar. Do të këshilloja të gjithë ato persona që nuk janë vaksinuar ende dhe nuk kanë kaluar një virozë, të paraqiten për tu vaksinuar që të jenë të mbrojtur”, tha mjekja.
Situatë e rënduar me viroza dhe grip është në thuajse të gjitha ambientet spitalore të vendit.
“Fluksi ka qenë shumë i shtuar për shkak të virozëve që kanë qarkulluar. Mbinkarkesën e kanë shkatuar virozat. Me koomplikacione pneumoni, gastroenterite. Të sëmurët kanë dhe sëmundje të tjera që i rëndojnë. Në 24 orë 200 raste. Është shtuar dukshëm këto dy javë. Urgjenca është gjithmonë e hapur. Vështirësi për mjek ka pasur gjithmonë”./KosovaPost