Ndarja e 4.2 milionë eurove nga Qeveria e Kosovës për sigurimin e barnave esenciale për spitalet është mirëpritur nga Oda e Mjekeve të Kosovës, ndonëse e konsiderojnë si të pamjaftueshëm këtë shumë.
Kreu i kësaj Ode, Pleurat Sejdiu, ka thënë për Ekonomia Online se në sistemin shëndetësor nevojitet një data-bazë që do t’i tregonte numrin e saktë të barnave në ShSKUK.
Mungesë ka edhe të materialeve hargjuese, e që sipas Sejdiut, fokusi i dikasterit të Shëndetësisë duhet të jetë edhe në këtë pikë.
Krahas kësaj, Sejdiu ka thënë se institucionet qeverisëse duhet ta kenë prioritet mbulueshmërinë e kërkesave që kanë Klinikat e QKUK-së, teksa thotë se shkaku i saj, pacientët po ikin jashtë vendit për trajtim.
“Besoj se do t’i zbusë nëse ato shpenzohen ato në bazë të një plani të prioriteteve e që i kanë paraqitur edhe Klinikat për këto prioritete, sepse normal çka po na ikë neve është trajtimi jashtë vendit apo institucioneve publike, pra janë për shkak të mungesave të materialeve hargjuese dhe së pari duhet të mbyllet ajo vrimë e humbjeve financiare që i bëjmë ne, dhe pastaj të shkojmë te çështja e atyre të cilat pacientët apo listat që detyrohen të shkojnë të blejnë barna. Unë nëse mendoj se nëse shihen këto prioritete e nëse bëhet një analizë në bazë të këtyre fakteve, atëherë mund të ndihet impakti i këtyre milionave”, u shpreh ai.
“Këto thirrje janë për shkak se nuk ka një plan apo një data bazë e të dhënave ku ne shohim sesi po hargjohen këto, prandaj nuk ka një sistem i cili do të bënte një planifikim të mirëfilltë, nuk ka protokolle të trajtimit edhe mandej e bëjnë listën e barnave që nevojiten sepse atë protokoll ne duhet ta ndjekim si mjek, dhe në bazë të saj, Qeveria duhet t’i blejë ato. Pra nuk ka një bazë të shumicës së sëmundjeve kronike të cilat vazhdimisht kanë nevojë, dhe po të ishin këto lista se çfarë shërbimesh po jepen, atëherë ta jep edhe nevojën dhe ajo duhet të plotësohet dhe buxheti në këtë bazë të planifikohet”, u shpreh Sejdiu për EO.