Një dozë javore e një medikamenti të miratuar së fundmi nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA-së për trajtimin e diabetit të tipit 2, mund t’i ndihmojë të rriturit pa diabet të humbin peshë gjithashtu, zbuloi një studim i ri.
Tirzepatide, i cili shitet me emrin e brendit Mounjaro, u përdor te njerëzit pa diabet në tri doza: 5, 10 dhe 15 miligramë. Pjesëmarrësit me obezitet ose ata që ishin mbipeshë dhe morën dozën 5 miligramë humbën mesatarisht 16 kilogramë, ata që morën dozën 10 miligramë humbën mesatarisht 22 kilogramë dhe pjesëmarrësit në dozën 15 miligramë humbën mesatarisht 23.6 kilogramë.
“Pothuajse 40% e individëve humbën një të katërtën e peshës së tyre trupore”, tha bashkëautori Dr. Ania Jastreboff, bashkëdrejtoreshë e Qendrës Yale për Menaxhimin e Peshës gjatë një konference për media.
“Të dhënat ishin mjaft mbresëlënëse”, deklaron Dr. Robert Gabbay, shefi mjekësor i Shoqatës Amerikane të Diabetit, i cili foli për CNN nga Sesionet e 82-ta Shkencore të ADA në New Orleans, ku u prezantuan rezultatet e studimit.
“Humbja e peshës që ata patën në këtë studim ishte edhe më e madhe se ajo që ishte parë në studimet e mëparshme të njerëzve me diabet”, shtoi Gabbay, i cili nuk ishte i përfshirë në studim.
“Raporti mesatar i humbjes së peshës për njerëzit në këtë studim të ri ishte 22 kilogramë”, tha ai. “Është sasia e humbjes së peshës që ne zakonisht mendojmë se është i mundur vetëm përmes operacionit.”
Në përgjithësi, njerëzit pa diabet humbën mesatarisht 15% deri në 20.9% të peshës së tyre fillestare trupore gjatë rrjedhës së provës klinike 72-javore e cila u botua të shtunën në The New England Journal of Medicine. Pjesëmarrësit që morën ilaçin humbën mes 2.4% dhe 3.1% të peshës së tyre trupore, mesatarisht.
Për krahasim, studimet mbi njerëzit me diabet që përdorën tirzepatide zbuluan se humbën mesatarisht 15% të peshës fillestare të trupit, tha Gabbay.
“Ky nuk është një vëzhgim i pazakontë”, tha ai. “Ndikimi i medikamenteve të mëparshme për humbje peshe është më pak efektiv te njerëzit me diabet, dhe ne sinqerisht nuk e dimë saktësisht pse”.
Megjithatë, ndikimi i tirzepatidit te njerëzit me diabet është ende “i thellë”, tha Gabbay, “duke ofruar shumë më tepër se mjetet e tjera që kemi pasur.”
Dozë e vetëinjektuese
Për studimin e ri, injeksionet javore të tirzepatidit u testuan në më shumë se 2500 njerëz pa diabet, të cilët kishin një indeks të masës trupore (BMI) mbi 30 ose që ishin mbi 27 BMI dhe kishin të paktën një gjendje shëndetësore të lidhur me peshën, si presioni i lartë i gjakut, kolesterol të lartë ose sëmundje kardiovaskulare. Një masë e raportit gjatësi-peshë të një personi, një BMI prej 25 ose më i gjatë konsiderohet mbipeshë tek të rriturit.
Në fillim të studimit, pjesëmarrësit kishin një peshë mesatare prej 104.8 kilogramë dhe një BMI mesatare prej 38.
Të rriturit në studim i injektuan vetes tirzepatide ose një ilaç placebo një herë në javë, duke përdorur “një pajisje të vogël si stilolaps me një gjilpërë të vogël”, tha Gabbay. “Shpimi nga ajo gjilpërë është më pak i dhimbshëm se, për shembull, njerëzit që i shpojnë gishtat për ta matur glukozën në gjak.”
Respondentët në studim patën gjithashtu seanca këshillimi për t’i ndihmuar ata të qëndrojnë në një dietë të shëndetshme me një deficit ditor 500 kalori, si dhe të paktën 150 minuta aktivitet fizik çdo javë.
“Lloji i humbjes së peshës që shohim kur njerëzit ushtrojnë dhe e ndryshojnë marrjen e kalorive është diku prej 5% deri në 7%”, tha ai. “Ky studim tregoi një humbje thellësisht më të madhe në peshë, shumë më e lartë se sa do të imagjinonim me ndryshimet e stilit të jetesës.”
Efektet anësore më të zakonshme të raportuara ishin të përziera, diarre dhe kapsllëk. Midis 2.6% dhe 7.1% e respondentëve e ndërprenë trajtimin për shkak të efekteve anësore.
Mounjaro përmban një paralajmërim për tumoret e tiroides dhe nuk duhet të përdoret nga njerëz me një histori familjare të kushteve të caktuara të tiroides.
“Obeziteti duhet të trajtohet si çdo sëmundje tjetër kronike – me qasje efektive dhe të sigurta që synojnë sëmundjet bazike … dhe këto rezultate nënvizojnë se tirzepatide mund të jetë duke e bërë pikërisht këtë”, tha Jastreboff nga Qendra Yale për Menaxhimin e Peshës në një njoftim për Asociacionin Amerikan të Diabetit.“Këto rezultate janë një hap i rëndësishëm përpara në zgjerimin potencial të opsioneve efektive terapeutike për njerëzit me obezitet.”/CNN