Albina Selmanaj
Për gati katër dekada vendet nëpër botë e kanë njohur muajin tetorë si Muajin Kombëtar të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit.
Ndërsa, vetëm këtë vit në Kosovë me këtë lloj të kancerit janë regjistruar 292 raste të reja.
Këtë e ka bërë të ditur ushtruesi i detyrës së drejtorit të Onkologjisë, Arben Bislimi për Familjajonë i cili tha se deri në fund të këtij viti do të ketë rritje të rasteve për 15-20 % më tepër.
“Në bazë të evidencës që kemi në klinikën tonë, nga vendimet konziliare kanë rezultuar 292 raste të reja me kancer gjiri gjatë periudhës janar-shtator.Krahasuar me vitin paraprak dhe një parallogaritje deri në fund të vitit ky numer do të kalon shifren 400, që afersisht do të jete rreth 15-20% më tepër”, tregoi Bislimi.
Ndërkaq, lidhur me mundësitë që ka Klinika e Onkologjisë për trajtimin e pacientëve, Bislimi tha se sfiduese ende mbetet infrastruktura e klinikës por edhe mungesa e infermierëve.
“Per klinikën tonë mbetet sfiduese infrastruktura në raport me numrin e madh të pacientëve dhe digjitalizimi i klinikës si kerkesë imediate e kohës. Klinika e Onkologjisë posedon 20 mjek onkologë të ndarë ne dy reparte kimio dhe radio, numër i cili plotëson deri diku nevojat tona, por mbetet sfiduese mungesa e stafit infermieror në të dy sherbimet.”, tha Bislimi.
Por se sa janë vetëdijesuar populli kosovarë për sëmundjen e kancerit të gjirit, sipas Bislimit kjo çështje ka pësuar përmirësim gjendja dhe nuk është më tabu që të flitet apo diskutohet për të.
“Çështja e vetëdijësimit për sëmundje malinje në përgjithesi dhe për kancer të gjirit në veqanti është e lidhur ngushtë me edukimin dhe arsimimin shëndetësor të popullatës, si dhe programet nacionale të screeningut në nivel vendi.Gjendja është diçka më e mirë, nuk është më tabu të flitet e diskutohet për gjirin dhe problemet eventuale me të por nuk është ajo që ne e deshirojmë. Deri sa akoma kemi raste të pacientëve që vijnë ne stade të avancuara të sëmundjes me mundësi të kufizuara kurimi, si mungesë e informacionit adekuat dhe me kohë“, përfundoi ai.
Ndryshe, muaji tetor njihet edhe si muaji i rozë për shkakë se i kushtohet ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.