Klubi “Dëshira”, që përkujdeset për personat me aftësi të kufizuar mendore në Prishtinë, ka organizuar aktivitet për shënimin e Ditës Botërore të Shëndetit Mendor.
Nusret Shillova, drejtor i Organizatës Klubi “Dëshira”, tha se qëllimi i tyre është përkrahja dhe rritja e nivelit të vetëdijesimit të popullatës për personat me aftësi të kufizuar mendore.
Sipas tij, veç në Prishtinë janë evidentuar rreth 200 persona me këto probleme.
“Qëllimi i kësaj ngjarje ka të bëjë me rritjen e përkrahjes për personat me aftësi të kufizuar mendore, dhe rritjen e nivelit të vetëdijesimit të popullatës për këtë komunitet. I bëjmë thirrje autoriteteve përkatëse për shtimin e vëmendjes në trajtimin e merituar dhe pranimin e personave me probleme mendore dhe dëmtime intelektuale si pjesë e barabartë e shoqërisë”.
“Në Komunën e Prishtinës nga organizatën jonë janë të evidentuar rreth 200 persona me këto probleme”, tha Shillova.
Bujar Kadriu, kryetar i Forumit të Aftësisë së Kufizuar, tha se Kuvendi i Kosovës ka aprovuar një ligji për shëndetin mendor, por që sipas tij, ky ligj ende nuk ka gjetur zbatim të plotë.
Ai i bëri thirrje Qeverisë që sa më shpejt të fillojë zbatimin e këtij ligji.
“Shëndeti mendor duhet të jetë prioritet i institucioneve. Kuvendi i Kosovës ka aprovuar Ligjin për Shëndetin Mendor, por ky ligj ende nuk ka gjetur zbatim të plotë, është ende në procedura zbatimit, prandaj iu bëjë thirrje institucioneve, Qeverisë që të fillojë zbatimin e këtyre mekanizmave ligjorë, sepse kjo ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e këtyre personave”, tha Kadriu.
Driton Krasniqi, anëtar i Organizatës-Klubi “Dëshira” tha se po të mos ishte ky klub që të kujdesej për ta, kjo kategori e shoqërisë do të kishte bredhur rrugëve.
“Kam dëshirë që keni ardhur të na shihni se si punojmë, kemi dëshira me na ofruar ndonjë punë që dëshirojmë ne. Po të mos ishte ky vend ne do të kishim bredhur rrugëve”, tha Krasniqi./eo