“Aktualisht 13 fëmijë të moshave nga tre muaj deri në 16 vjeç, janë duke u trajtuar në Klinikën e Pediatrisë, dy me oksigjenterapi, por në gjendje stabile”, thotë ushtruesja e detyrës se drejtoreshës në Klinikën e Pediatrisë, Violeta Grajçevci për Albanian Post.
Ajo shton se problemet me të cilat po ballafaqohen këta fëmijë janë, “trakti i frymëmarrjes me pneumoni, por edhe disa kanë diarre me vjellje dhe barkëqitje”.
Grajçevci bën të ditur se kanë pasur vizita të shpeshta gjatë muajit gusht.
“Vetëm gjatë muajit gusht, në Klinikën e Pediatrisë, janë trajtuar 36 fëmijë, kurse për gjashtë muajt e parë të këtij viti(janar-qershor) në këtë klinikë kanë qenë 67 fëmijë”.
Ndërsa shton se, “dy fëmijë kanë humbur jetën me sëmundjen e COVID-19”.
Në Kosovë, po regjistrohen rritje të rasteve me Coronavirus, teksa varianti Delta është varianti më ngjitës i cili po prek kryesisht moshat më të reja. Ministria e Shëndetësisë, ka njoftuar se ky variant është duke prekur edhe fëmijët dhe adoleshentët.
Sipas doktoreshës Grajçevci, simptomat më të shpeshta të fëmijëve të infektuar, janë problemet me mushkëri, vjellje, diarre dhe temperaturë.
Ajo ka kërkuar kujdes nga prindërit, që fëmijët të zbatojnë masat mbrojtëse kundër Coronavirusit, respektimin e distancës, higjienës dhe veshjen e maskës. Mirëpo, ka kërkuar vaksinimin e personave nën moshën 18 vjeç, sidomos tashmë në prag të fillimit të vitit të ri shkollor.
“Varianti Delta, ka përhapje më të shpejtë krahasuar me format tjera të virusit, do të ishte shumë e mirëseardhur të bëhet vaksinimi i moshave pediatrike aty ku lejohet. Vaksinimi tek grup mosha 12-16 vjeç, te ata fëmijë me imunitet të kompromentuar, kurse të rinjtë mbi 16 vjec të filloj vaksinimi në mënyrë sa më të madhe”.
Nga 16 gushti, Qeveria e Kosovës ka lejuar imunizimin kundër sëmundjes COVID-19, për personat nën 18 vjeç. Vaksinimi i personave mbi 16 vjeç me vaksinën Pfizer, ndërsa për grup moshën 12-15 vjeç, vaksinimi “do të bëhet me prioritet dhe sipas indikacioneve shëndetësore”.
Nga personat 16 deri 18 vjeç, deri tani janë vaksinuar 7 mijë e 458 persona, ku disa nga ta kanë marrë të dyja dozat e vaksinës.
Ndërsa, më 28 gusht, një 20-vjeçare me inicialet H.R. nga Gjakova ka vdekur të shtunën në mëngjes në QKUK si pasojë e COVID-19, ajo tash e katër ditë ishte duke u trajtuar në mjekim intensiv në Qendrën Klinike Universitare.
Familja e 20-vjeçares kishin humbur ditë më parë pikërisht edhe kryefamiljarin, babain e 20-vjeçares nga COVID-19.
Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar anesteziologe Agreta Gecaj-Gashi në Klinikën Intensive, të Coronavirusit.
“Ajo ka ndërruar jetë në Intensiven COVID. Ishte duke u trajtuar tash e katër ditë. Babai i saj në bazë të informacioneve që kemi ne, ka qenë i shtrirë në Gjakovë dhe ka vdekur disa ditë më herët”, u shpreh ajo.
Ministria e Arsimit, Arbërie Nagavci, kishte deklaruar se rikthimi i nxënëseve në shkolla do të bëhet vetëm nëse shkollat janë të sigurta për të gjithë.
“Rikthimi në shkolla duhet të jetë i sigurt për të gjithë, interesi më i mirë i fëmijëve do të jetë në qendër të vendimeve tona. Ministria do të vazhdoj të përcjellë me kujdes të shtuar gjendjen si dhe të ketë konsultime me profesionistët, para secilit vendim”, ka shkruar me 26 gusht Nagavci.
Masat e reja kundër COVID-19
Masat e reja anti-COVID’19 që filluan të aplikohen nga e premtja e kaluar (20 gusht) nuk kanë mjaftuar të ulet numri i të vdekurve dhe të infektuarve nga virusi, prandaj ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka zhvilluar një takim me kryetarët e komunave të Kosovës, për të shqyrtuar masa shtesë në luftën pandemike.
Nga diele e 29 gushtit kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-COVID në Kosovë dhe do të zgjasin deri më 13 shtator. Kështu ka vendosur Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së shtunës, ku janë marrë edhe disa masa tjera.
Kufizimi i qarkullimit për qytetarët pas orës 22:00. Gastronomia mund të punojë vetëm deri në ora 21:30 dhe atë vetëm në ambiente të hapura.
Hyrja dhe dalja nga vendi për qytetarët në pikat kufitare duhet të dëshmohet certifikata e vaksinimit ose testi serologjik jo më i vjetër se 72 orë.
Të gjitha institucionet publike dhe private janë të obliguara të punojnë me staf esencial deri më datën 13 shtator, ndërsa punonjësit e institucioneve publike pas kësaj date duhet të posedojnë një nga dëshmitë si certifikatën e vaksinimit apo testet përkatëse për të ju lejuar hyrja në ambientet e punës.
Gjendja me COVID-19 në spitalet e përgjithshme në Kosovë
Në klinikat COVID dhe në spitalet e përgjithshme e përgjithshme janë të shtrirë 1 mijë e 165 pacientë.
Nga 1 mijë e 165 të konfirmuar më COVID janë 1 mijë e 77 pacientë, me oksigjeno-terapi janë 944 pacientë, ndërsa në kujdes intensiv janë 63.
Në QKUK, janë 403 pacientë të shtrirë, 394 prej tyre janë me COVID-19 pozitivë, 323 me oksigjeno-terapi.
Situata epidemiologjike me Coronavirus në Kosovë
Ministria e Shëndetësisë, njoftoi më 28 gusht se 18 persona kanë vdekur dhe janë regjistruar 1 mijë e 837 raste të reja me Coronavirus.
Numri i të infektuarve vjen nga 13 mijë e 120 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.
Sipas IKSHPK-së gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar gjithsejtë një mijë e 483 persona.
Raste aktive me COVID-19, janë gjithsejtë 25 mijë e 797.
Sa i përket vaksinimit, në 24 orët paraprake janë administruar 15 mijë e 967 doza.
Në total, që prej fundit të marsit të vitit 2021, Kosova ka administruar 794 mijë e 812 doza, ku 267 mijë e 979 persona janë vaksinuar plotësisht me të dy dozat e vaksinës.
Fushata e imunizimit në Kosovë është ndarë në tri faza. Në të parën u është dhënë përparësi punonjësve shëndetësorë dhe personave mbi 80 vjeç.
Nga mesi i majit është zhvilluar faza e dytë, që ka përfshirë personat e moshës 65 deri në 79 vjeç, ndërsa më 15 qershor ka nisur vaksinimi masiv.
Qeveria e Kosovës ka thënë se ka prioritet, vaksinimin e 60 për qind të qytetarëve deri në fund të këtij viti. /Albanianpost.com