Enj, Mar 21, 2024
Banner Top
Banner Top
UNICEF-i dhe Microsoft lansojnë platformën e të mësuarit për të ndihmuar në adresimin e krizës së arsimit për shkak të COVID-19 në Kosovë

Derisa mbyllja e shkollave në më shumë se 188 vende i ka larguar më shumë se 1.57 miliard nxënës nga klasat e tyre, Pasaporta e të Mësuarit synon t’i mbajë fëmijët të angazhuar në mësime.

Kosovë, 20 prill 2020 –UNICEF-i dhe Korporata Microsoft sot kanë lansuar zgjerimin e një platforme globale të të mësuarit për t’u ndihmuar fëmijëve dhe të rinjëve të prekur nga pandemia COVID-19 që ta vazhdojnë arsimimin e tyre në shtëpi.

Pasaporta e të Mësuarit (The Learning Passport) – një partneritet mes UNICEF-it, Microsoft-it dhe Universitetit të Kembrixhit, e dizajnuar fillimisht për t’iu ofruar arsimim fëmijëve të zhvendosur dhe fëmijëve refugjatë përmes një platforme digjitale të të mësuarit në distancë – është zgjeruar në mënyrë të shpejtë për ta lehtësuar kurrikulën në nivel vendi për fëmijët dhe të rinjtë shkollat e të cilëve janë detyruar të mbyllen si masë reaguese ndaj pandemisë me COVID-19. Platforma po ashtu do të ofrojë burime themelore për mësimdhënësit dhe edukatorët.

“Po i gëzohemi kësaj mundësie dhe e dimë që nevojitet ndihmë tani dhe shpejt. Jemi duke e sjellur ekspertizën dhe njohuritë më të mira botërore për të mirën e të gjithë fëmijëve dhe të rinjëve në Kosovë. Pasaporta e të mësuarit e lidh Ministrinë e Arsimit në Kosovë me Universitetin e Kembrixhit dhe Microsoft-in për të krijuar së bashku zgjidhje që do t’i ndihmonin popullsisë më të re në Kosovë duke ofruar arsim cilësor për të gjithë,” – thotë Murat Sahin, Shef i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti vlerësoi UNICEF-in për iniciativën, Ai beson se përfitimet do të jenë të shumta në përmirësimin e arsimit dhe punësimit të të rinjve.

Kosova së bashku me Timorin Lindor dhe Ukrainën janë tre pionerët në botë që do të regjistrohen në kurrikulën online përmes Pasaportës së të Mësuarit. Specialisti i Arsimit në Zyrën e UNICEF-it në Kosovë Kozeta Imami theksoi se “Kosova në mënyrë specifike përqendrohet në zhvillimin e një produkti minimal praktik duke filluar me digjitalizimin e programit UPSHIFT – një program i krijuar në Kosovë i replikuar në 21 vende anembanë botës.  Përmbajtja e zhvilluar do të përshtatet për të mësuarit individual si dhe për të mësuarit në grupe përmes internetit, me qëllim të prodhimit të përmbajtjes së përshtatshme në burime të hapura e cila mund të përsëritet, të përmirësohet dhe të zgjerohet nëpër vende të shumta. Kjo nismë mund të fitojë kapacitete të fuqishme për plane dhe platforma më afatgjata që do të përdoren nga adoleshentët dhe të rinjtë kudo që janë”.

Fëmijët dhe të rinjtë që janë duke e vazhduar arsimimin e tyre online mund të bëjnë këtë përmes një platforme specifike për vende, në të cilën qasen përmes faqes www.learningpassport.unicef.org të vendit të tyre. Platforma për secilin vend ofron një kurrikulë të digjitalizuar me libra dhe një përzgjedhje të përmbajtjes shtesë, në gjuhët vendore, që është e krijuar në bashkëpunim në nivel vendi për t’iu shërbyer sa më mire nevojave specifike të nxënësve dhe edukatorëve. Pasaporta e të Mësuarit përfshin një regjistër të lëndëve kurrikulare që mësohen nga të gjithë nxënësit dhe i udhëzon nxënësit pa pasur nevojë për shumë përkrahje shtesë.

Sipas të dhënave më të fundit në dispozicion nga UNESCO, 1.57 miliardë nxënës janë prekur nga mbylljet e shkollave në 188 vende në mbarë botën.

“Nga mbylljet e shkollave, izolimi, ndjenja e vazhdueshme e frikës dhe e ankthit, efektet e kësaj pandemie janë duke ndikuar tek fëmijët në mbarë botën. Ne duhet të bashkohemi dhe ta hulumtojmë çdo rrugë për t’iu ndihmuar fëmijëve tanë gjatë kësaj kohe të vështirë. Dhe me partnerë si Microsoft-i, ne mund të zbatojmë me lehtësi zgjidhje inovative dhe të zgjerueshme për fëmijët dhe të rinjtë,” u shpreh Henrietta Fore, Drejtoreshë Ekzekutive e UNICEF-it. “Përshtatjet e bëra në Pasaportën e të Mësuarit janë përkujtues i fuqishëm i gjërave që mund t’i arrijmë së bashku me partnerët tanë për fëmijët përderisa kriza thellohet në tërë globin.”

Pasaporta e të Mësuarit është pjesë e Zhvillimeve Globale të Gjeneratës së Pakufizuar për Të Mësuarit dhe Punës nga Distanca dhe Certifikimit të Transferueshëm që kanë për qëllim ta përdorin teknologjinë për t’i adresuar sfidat me të cilat përballen nxënësit, fasilituesit dhe ofruesit e arsimit, sidomos në kontekste të prekura nga konflikti dhe në kontekste humanitare. Gjenerata e Pakufizuar është partneritet global shumë-sektorial për t’i plotësuar nevojat urgjente për mundësi të shtuara të arsimimit, trajnimit dhe punësimit për të rinjtë.

###

Shënime për redaktorët:


Rreth Microsoft-it

Microsoft-i (Nasdaq “MSFT” @microsoft) mundëson transformim digjital për epokën e “Intelligent cloud” dhe “Intelligent edge”. Misioni i tij është ta fuqizojë çdo person dhe çdo organizatë në planet për të arritur më shumë.

Rreth Gjeneratës së Pakufizuar

Gjenerata e Pakufizuar (Generation Unlimited) është një partneritet global që vepron për t’i përgatitur të rinjtë të bëhen qytetarë produktivë dhe të angazhuar. Ajo e lidh arsimin e moshës së mesme dhe trajnimin për punësim dhe ndërmarrësi, duke e fuqizuar çdo të ri për t’u zhvilluar në botën e punës.

Rreth Programit UPShift

UPSHIFT i përgatit të rinjtë nga komunitetet e margjinalizuara të Kosovës për të identifikuar, analizuar dhe ndërmarrë veprime të ndërmarrësisë ndaj sfidave në komunitetet e tyre – duke u ndihmuar personave të cenuar ta realizojnë rolin e tyre si agjentë të ndryshimit shoqëror dhe duke i zhvilluar aftësitë e tyre të lidershipit, gatishmërinë profesionale dhe fleksibilitetin e tyre njëkohësisht. UPSHIFT është krijuar në Kosovë dhe tani po replikohet si zgjidhje premtuese në më shumë se 21 vende në mbarë botën.

Rreth UNICEF-it

UNICEF-i punon në disa prej vendeve më të vështira të botës, për të arritur tek fëmijët më të cenuar. Në 190 shtete dhe territore, ne punojmë për çdo fëmijë, kudo, për ta ndërtuar një botë më të mirë për të gjithë. Për më shumë informata për UNICEF-in dhe punën e tyre për fëmijët, vizitoni www.unicef.org. Na ndiqni në Twitter dhe Facebook.


UNICEF nuk e përkrah asnjë kompani, brend, produkt apo shërbim.

Youtube

Arkiva

Kategoritë