Sht, Mar 23, 2024
Banner Top
Banner Top
Trajtim i personalizuar në hipotiroidizmin subklinik

Hipotiroidizmi subklinik është i lidhur me efekte të padëshiruara metabolike, kardiovaskulare, neuromuskulare dhe konjitive, duke ndikuar gjithashtu në cilësinë e jetës. 

Trajtimi i hipotiroidizmit subklinik duhet të jetë i personalizuar, në bazë të benefiteve dhe risqeve të trajtimit me levotiroksinë dhe preferencave të pacientit. 

Të dhënat mbështesin trajtimin me levotiroksinë në gratë shtatëzëna me vlerë të TSH >10 mIU/L, në pacientë me vlera të TSH nga 5 deri në 10 mlU/L me shenja të hiperlipidemisë dhe/ose në pacientë të rinj me risk të sëmundjeve kardiovaskulare. 

Më poshtë përmenden disa nga faktorët që duhet të merren në konsideratë gjatë vlerësimit klinik dhe vendimit për trajtimin:

  • Niveli i TSH 2 herë më i lartë se niveli i sipërm i normës ose > 8mlU/L
  • Rritje progresive e TSH
  • Strumë
  • Antitrupat tiroidien
  • Shtatzëni ose planifikim shtatzënisë
  • Infertilitetet ose çrregullime të ovulacionit
  • Fëmijëri ose adoleshencë
  • Dislipidemi
  • Sëmundje kardiovaskulare ose risk për sëmundje kardiovaskulare
  • Depresion ose çrregullim bipolar
  • Preferencë e pacientit

Aderenca ndaj trajtimit mund të jetë e vështirë. Medikamenti duhet të merret pa ngrënë sepse ushqimi dhe suplementet ndërveprojnë me përthithjen. Po ashtu, kostot e medikamentit, monitorimi i shpeshtë biokimik dhe nevoja për titrim rrit vështirësinë për pacientin. 

Në përzgjedhjen e dozës, duhet konsideruar shkalla e hipotiroidizmit, niveli i TSH dhe pesha e pacientit.

Nëse TSH është në nivelin e sipërm të normës

Është parë se niveli i TSH 3 deri në 5 mlU/L zbulohet në një pjesë të madhe të popullsisë dhe në këto nivele nuk është i lidhur me pasoja të rënda klinike. Për këtë arsye, trajtimi me levotiroksinë në këto nivele nuk ka treguar të ketë shumë benefite.

Në një studim të Pollock et al është parë se në pacientët me simptoma të hipertiroidizmit por me vlera të TSH në nivelin e sipërm të normës, nuk kishte përmirësim të funksioneve konjitive ose mirëqenies psikologjike 12 javë pas trajtimit me levotiroksinë. 

Megjithatë, për shkak të shqetësimit për efekte të mundshme te hipotiroidizmit subklinik te gratë shtatzëna dhe fetusi si psh. ndikimi në nivelin e IQ, levotiroksina në këto raste rekomandohet në nivel të TSH > 2.5 mlU/L, veçanërisht në rastet e pranisë së TPO.

Nëse TSH është lehtësisht i rritur

Evidencat që mbështesin trajtimin me levotiroksinë në hipotiroidizëm subklinik me vlerë TSH < 10 mlU/L janë të pamjaftueshme dhe vendimi për trajtim duhet të bazohet në gjykimin klinik [Fatourechi et al.]. Studimet që kanë treguar benefite të trajtimit të hipotiroidizmit subklinik me levotiroksinë në lidhje me përmirësimin e shenjave kardiake, neuromuskulare, konjitive dhe neuropsikiatrike kanë përfshirë pacientë më vlera të ndryshme të TSH, pa bërë kategorizim të vlerave.

Nëse TSH është më i lartë se 10 mlU/L

Evidencat më të shumta mbështesin trajtimin me levotiroksinë në këta pacientë. Hipotiroidizmi në këta pacientë është i lidhur me efekte të padëshiruara kardio-metabolike, neuromuskulare, konjitive dhe psikiatrike. Në këto studime, trajtimi me levotiroksinë ka treguar të përmirësoj ndjeshëm situatën klinike të pacientëve. /Familja Jonë


Youtube

Arkiva

Kategoritë