Hën, Tet 26, 2020
Banner Top
Banner Top
Si është të kesh ankth dhe depresion njëkohësisht?

“Jetesa me ankthin dhe depresionin është një luftë e vazhdueshme me veten”

Njerëz të cilët jetojnë me ankthin dhe depresionin njekohësisht e ndajnë këtë eksperiencë me të tjerët… 
Depresioni dhe ankthi  shfaqin secili simptomat e tyre. Sikur të mos mjaftonte fakti se jetesa me njërën prej tyre është tejet e lodhshme, një studim ka treguar se nuk është e pazakontë të jetohet me ankth dhe depresion në të njëjtën kohë. 

“Thuajse gjysma e atyre që janë diagnostikuar me njërën prej tyre diagnostikohen edhe me tjetrën”, thonë terapistët e terapisë familjare. 

Të dyja këto probleme të shëndetit mendor mund të menaxhohen përmes terapisë, mjekimit ose nga një kombinim i tyre. E ndërsa trajtimi e bën plotësisht të mundshëm një jetesë të shëndetshme e të kënaqshme nuk do të thotë se gjithë përjetimi dhe përvoja nuk janë sfiduese.

Njerëz të cilët jetojnë me ankthin dhe depresionin njekohësisht e ndajnë këtë eksperiencë me të tjerët… 
Jetesa me ankthin dhe depresionin është një luftë e vazhdueshme me veten

“Zakonisht i  përjetoj të dyja këto njëkohësisht. Për një çast përballem me një mori emocionesh dhe mendime alarmante, më pas përballem me një zbrazëti të madhe. Mendja ime anksioze thotë se diçka me mua nuk shkon dhe se më duhet ta rregulloj këtë gjë për të shpëtuar veten. Është si të jenë dy pjesë të ndryshme të miat në një luftë të vazhdueshme, pa një fitues”. Kështu shprehet O. L., 28 vjeç. 

Stereotipet negative ju pengojnë të flisni për përvojën tuaj

Klinicistët shpjegojnë se pacientët e tyre të cilët përballen me depresionin dhe ankthin dëshpërimisht kërkojnë dikë i cili do të mund t’i kuptojë vështirësitë që kalojnë dhe ndjenjat e izolimit. Por, frika se do t’i zhgënjejnë njerëzit ose se do të paragjykohen i pengon ata të kërkojnë ndihmë. 

Mund të kujdeseni për gjithçka dhe asgjë njëkohësisht 

Ndonjëherë ndieni se çfarëdo të bëni ju thjesht nuk do të jeni fitimtar. Depresioni e bën shumë të vështirë ngritjen nga shtrati në mëngjes, ndërsa ankthi ju mban të shqetësuar  për listën e gjërave që keni për të bërë të cilat shtohen përherë e më shumë ndërkohë që ju shtriheni. Depresioni “pëshpërit” se jeni të pavlerë dhe se asgjë vërtetë nuk ka rëndësi; nga ana tjetër ankthi “ulëret” se nuk jeni duke bërë mjaftueshëm ose se diçka e tmerrshme do të ndodh dhe çdo vendim i juaji sado i vogël vlen pa masë. 

Jetesa me te dyja këto gjëndje mund të shkaktojë pasoja fizike

Aleksi 25 vjeç, profesionist i  marrëdhënieve me publikun na thotë:

“Problemi im më i  madh është me gjumin. Ka ditë kur ndihem vazhdimisht  i lodhur, por nuk mund të fle sepse mendja ime është e çuditshme, jam vazhdimisht duke menduar. Pas terapive dhe antidepresantëve tani këto ndjesi janë më të menaxhueshme, por megjithatë ka ende ditë të vështira për mua. Simptomat fizike nuk largohen gjithmonë. Përjetoj ngushtim në gjoks dhe dhimbje stomaku nga ankthi. Këto gjëra çojnë më pas në përjetimin e një episodi depresioni,  e kështu zgjat një cikël për shumë ditë”.

Shpesh ndiheni si të zënë në kurth

“Për  mua ankthi nuk është vetëm shqetësimi se çdo gjë mund të shkojë keq, është një obsesion se çdo gjë duhet të shkojë mirë. Megjithatë duke pasur edhe depresion në të njëjtën kohë shpesh ndihem si i zënë në kurth. Jam i vetëdijshëm për të gjitha gjërat që mund të shkojnë keq, i dëshpëruar për të bërë çdo gjë që gjithçka të shkojë mirë dhe njëkohësisht jam tërësisht i pafuqishëm të bëj diçka realitet. Është një cikël brutal vetë-ushqyes dhe ndonjëherë është e vështirë të përcaktohet se cili shfaqet i pari, ankthi apo depresioni”, thotë Niko 29 vjeç me profesion sipërmarrës.

Ndiheni të rraskapitur  fizikisht dhe mendërisht

“Njëra anë e medaljes është përballja me vështirësitë që shoqërojnë depresionin dhe ankthin, siç mund të jetë fakti se depresioni ju bën të ndiheni të  frustruar e të lodhur fizikisht e mendërisht. Nga ana tjetër ankthi ju mban zgjuar gjithë natën duke u shqetësuar për çdo gjë e duke pyetur veten nëse depresioni do të ketë fund ndonjëherë.

“Ana  tjetër e medaljes është të pasurit e ankthit dhe depresionit si pasojë e jetës në komunitete. Të jesh një grua me probleme që lidhen me shëndetin mendor është akoma edhe më shumë stresuese sepse në familjen time,  gjithmonë na është thënë se gjithmonë duhet të jemi të fortë e të mos flasim kurrë për shëndetin tonë mendor. Unë u rrita me mentalitetin se çfarë ndodhte në shtëpi mbetej brenda saj. Kjo gjë ka qenë sfilitëse për mua, sepse temat rreth shendetit mendor në familjen time kanë qenë shmangur”. Shprehet kështu Jasmina 25 vjeç, shkrimtare. 

Ju  shpesh herë ndërprisni marrëdhëniet me njerëzit

Ju vendosni barriera ndërmjet njerëzve. Izolimi nga të afërmit tuaj dhe nga njerëzit e tjerë mund të përdoret si një mënyrë për të kontrolluar ankthin. Kjo gjë ju bën të ndiheni më të vetmuar dhe të depresionuar. Të pasurit disa kufij është e rëndësishme por ato nuk duhet të jenë shumë ose thuajse inekzistente ose tepër të ashpra.

Depresioni dhe ankthi ndikojnë në performancën tuaj të përditshme.

“Ankthi ka penguar jetën time sociale dhe atë private, nga ana tjetër depresioni e ka vështirësuar përditshmërinë time aq shumë sa ka qenë e vështirë të lulëzoja pas fakultetit. Do të doja të kisha kërkuar terapi dhe të merrja mjekim para moshës 38 vjeçare. Çelësi për mua ishte të bëhesha më proaktiv me shëndetin tim mendor. Vendosja e qëllimeve të mëdha e të vogla ndihmon”, shpjegon Stefani 45 vjeç, themelues i një organizate jofitimprurëse që sjell ndërgjegjësim mbi shëndetin mendor.

Asnjëherë nuk e dini sesi do të shfaqen ankthi ose depresioni juaj 

Besarti 30 vjeç, një menaxher shpjegon se:

“Ndërsa dëshironi të qëndroni në shtrat për orë të tëra e në të njëjtën kohë dëshironi të ngriheni e të nisni punën sepse po ju kaplon frika se do të dështoni në projektin tuaj ose se do të kalojë afati i aplikimit. Ju i kushtoni jashtëzakonisht shumë rëndësi asaj çfarë të tjerët mendojnë për ju. Disa ditë keni edhe sulme ankthi në rastet kur jeni jashtë në kontakt me evente shoqërore dhe nuk mund të gjeni energjinë për t’u shoqëruar me të tjerët përreth. Shpesh duket sikur truri juaj është në kundërshtim me vetveten.  Truri  juaj kalon nga një gjendje e dembelizmit në një gjendje shumë të tensionuar dhe këto ndryshime mund të manifestohen në mënyra të ndryshme”.

Ndjeni nevojën për të arritur diçka, por nuk keni vullnetin ta bëni këtë

Kur jeni në depresion gjatë gjithë kohës mendoni se jeni një dështim. Nga ana tjetër ankthi ju bën të ndjeni përgjegjësi mbi gjërat më shumë seç duhet duke ushtruan presion mbi ju. Këto janë fjalët e një menaxhereje të programit të shërbimeve financiare në një kompani, Liza 56 vjeç.

Të jetuarit me të dyja këto gjendje shkakton shqetësim intensiv 

Sipas psikiatërve, individët që jetojnë me depresion dhe ankth njëkohësisht mund të gjejnë veten në një shqetësim të vazhdueshëm duke menduar se si të tjerët mund të gjykojnë veprimet e tyre. Ata gjithashtu shqetësohen se nuk do të ndihen kurrë mirë.

Sëmundjet e bëjnë edhe më të vështirë përballimin e kësaj bashkëjetese

“Për mua është shumë e vështirë të mos e vras mëndjen edhe për gjëra krejtësisht të panevojshme dhe të vazhdoj përpara. Kjo më bën të jem në ankth, gjithashtu jam e vetëdijshme që po kaloj edhe një periudhë depresioni sepse zgjohem në mëngjes dhe ndihem e pafuqishme”. Kështu shprehet Emilia 35 vjeç, një menaxhere shitjesh. 

Shpesh e shmangni praktikimin e kujdesit ndaj vetes sepse nuk jeni energjik

“Shpesh herë më pëlqen t’i referohem këtij kombinimi të depresionit dhe ankthit si të ishte një “përbindësh”, i cili është zëri që të flet vazhdimisht në kokë duke të thënë se duhet të bësh tërësisht gjënë e kundërt të veprimeve që duhen bërë. Për shembull, nëse ti duhet të çohesh nga shtrati, të lash dhëmbët , të bësh një dush, të vishesh e të shkosh në punë, pikërisht ky “përbindësh” i krijuar ju thotë se duhet të bëni çdo gjë ndryshe”.

Katia, 33 vjeç, trajnere thotë se:

“Pikërisht në këto situata ne duhet ta sforcojmë veten dhe të bëjmë të kundërtën e asaj që ky zë na thotë, kështu ju nuk jeni duke e lënë atë t’ju kontrollojë gjatë gjithë kohës. Këto ndryshime të vogla të sjelljes na ndihmojmë të ndihemi më mirë”.

Duket sikur jeni zënë në kurth, por ka ende shpresë

Kur përjetoni ankth dhe depresion duket sikur bota rreth jush po tkurret gjithnjë e më shumë. Për të ndryshuar jetën tuaj fillimisht duhet të pranoni se është në rregull të mos jesh në rregull. Kjo kërkon kohë por ju do të shëroheni një ditë. Kështu shprehet Mentori, shef ekzekutiv dhe themelues i një organizate jofitimprurëse që ndihmon njerëzit për çështjet që kanë të bëjnë me vetëvlerësimin. /Familja Jonë


0 Comments

Leave a Comment

Arkiva

Kategoritë