Die, Jan 24, 2021
Banner Top
Banner Top
Sa janë të besueshme dhe të shpejta testet për COVID-19?

Pothuajse të gjithë ne kemi dëgjuar për llojet e testeve kundër koronavirusit. Por, një pjesë e madhe e njerëzve ende nuk e dinë se si përdoren ato teste dhe sa të besueshme janë ato në raport me detektimin e virusit te njerëzit.

Kur dihet se vala e virusit akoma nuk ka kaluar, është me interes njohja e përparësive dhe mangësive të secilit lloj testimi, pasi që jo secili prej këtyre llojeve ofron shpejtësi dhe saktësi në të njëjtën kohë.

Tashmë është e njohur se ekzistojnë tri lloje testesh: PCR, testi antitrup (nga anglishtja antibody) dhe testi antigjen. Secili nga këta ka disa veçori rreth mënyrës së aplikimit, shpejtësisë së evidentimit të COVID-19 dhe besueshmërisë në këtë proces. Më poshtë do t’i sjellim veçantitë e gjithsecilit, për t’i vënë në pah aspektet pozitive dhe negative të tyre.

  • Testi PCR

Doktorët e përdorin këtë test për t’i diagnostifikuar pacientët që e kanë virusin në momentin kur testohen. Testi PCR njëkohësisht është më i dëgjuari dhe më përdoruri nga të gjithë testet e tjera.

Si funksionon?

Përmes këtij testi, merret një mostër nga mukoza e hundës ose e fytit për të evidentuar ose jo virusin. Materiali i marrë njihet si pjesa ku detektohet më së lehti virusi ose, thënë shkurt, ADN-ja e virusit.

Sa është i saktë?

Në përgjithësi, testet PCR njihen si më të besueshmit për shkak të qartësisë në identifikimin e virusit.

Por, ka raste kur virusi mund të mos stacionohet në hundë ose në fyt, ashtu që procesi i evidentimit të personit aktualisht aktiv me koronavirus mund të dështojë.

Sa është i shpejtë?

Shpejtësia nuk është arma më e fortë e këtyre testeve. Për t’i nxjerrë rezultatet e marra nga kjo formë testimi, duhet të pritet disa ditë. Brenda këtij lloji të testimit ka edhe mënyra të shpejta të nxjerrjes së rezultateve, por jo gjithmonë janë përfundimet e sakta.

  • Testi antitrup

Ky test identifikon pacientët që kanë qenë të infektuar më parë me koronavirus, ndërsa e ka të pamundur të evidentojë nëse virusi është i pranishëm te pacienti në momentin e testimit.

Një test i tillë është i nevojshëm në gjurmimin e shpërndarjes së virusit nëpër një popullatë të caktuar.

Si funksionon?

Ky është një test i gjakut. Testi antitrup gjurmon nëse në trupin tonë kemi antitrupa me qëllim të mbrojtjes ndaj virusit, ashtu që kur identifikohen këta të fundit, diagnostifikohet edhe virusi.

Sa është i saktë?

Në përgjithësi, testet e tilla nuk njihen për ndonjë saktësi të lartë, bazuar në kërkimet e zhvilluara nga ekspertët shëndetësorë.

Gabimet që shkaktohen më së shumti me këtë lloj testimi janë te njerëzit individualë. Kur testohen në grup, gabimet në këtë formë testimi (në grup) janë më të vogla, për rrjedhojë mund të japë një pasqyrë të saktë rreth shkallës së infeksionit në një vend të caktuar.

Sa është i shpejtë?

Ky test i prodhon rezultatet për shumë pak minuta, bazuar nga marrja e një pike të gjakut nga gishti. Disa studiues e përdorin një nënlloj tjetër të këtij testi që është më i saktë dhe i sofistikuar. Ky test quhet Eliza, por nuk është shumë i shpërndarë për përdorim.

  • Testi antigjen

Ky test evidenton nëse pacienti është tani për tani i infektuar me COVID-19. Po ashtu, ky lloj testimi mund të përdoret për detektimin e ndonjë virusi tjetër, për shkak të shpejtësisë në nxjerrjen e rezultateve.

Si funksionon?

Ky test tenton ta identifikojë virusin përmes sekrecioneve të fytit, ku me anë të gjetjes së proteinave arrihet edhe rruga drejt zbulimit të virusit.

Sa është i saktë?

Saktësia e këtij testi është relativisht e madhe, por jo sa testet PCR.

Sa është i shpejtë?

Rezultatet e testimit me testin antigjen dalin për pak minuta, një përparësi kjo e madhe ndaj testit PCR i cili nuk i përpunon aq shpejt rezultatet.

Arkiva

Kategoritë